BALLKAN, 13 September 2026, 17:19

Mitsotakis, mesazh të drejtpërdrejtë Ankarasë: Greqia kërkon dialog dhe marrëdhënie pa tensione, jo kërcënime për…

Pas një vizite simbolike 3 ditore në Kastelorizo, një nga pikat më të ndjeshme të marrëdhënieve greko-turke, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Ankarasë: Greqia kërkon dialog dhe marrëdhënie pa tensione, por nuk do të pranojë kërcënime apo vënie në diskutim të të drejtave të saj sovrane.

Siç raporton Top Channel, vizita e tij në ishull, shumë pranë brigjeve turke, vjen pas një muaji ku tonet mes Athinës dhe Ankarasë janë ngritur ndjeshëm.

“Ne nuk kërcënojmë askënd, por as nuk pranojmë kërcënime apo diktate nga askush. Ju e dini këtë më mirë se kushdo, duke jetuar çdo ditë kaq pranë një vendi me të cilin vetë gjeografia na ka destinuar të bashkëjetojmë”, tha Mitsotakis.

Tensioni mes dy fqinjëve aleatë të Natos, por edhe rivalë, u rikthye në mesin e gushtit, kur Turqia shpalli dy “parqe kombëtare detare”, një në Egjeun verilindor dhe një tjetër në Mesdheun Lindor, pranë Kastellorizos. Athina i cilësoi këto vendime të paligjshme në pjesën ku, sipas saj, shtrihen jashtë juridiksionit turk dhe brenda shelfit kontinental grek.

Më pas, Ankaraja reagoi edhe ndaj planeve greke për energjinë e rinovueshme në Egje, duke rikthyer në diskutim çështjen e të ashtuquajturave “zona gri”, ndërsa të dyja palët shkëmbyen nota diplomatike.

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan kërkoi gjithashtu që Greqia të ndalojë militarizimin e disa ishujve të Egjeut dhe i bëri thirrje Athinës “të mësojë nga historia”, deklarata që në Greqi u interpretuan si një rikthim i retorikës së fortë të viteve të mëparshme.

Në të njëjtën periudhë, autoritetet greke kanë regjistruar fluturime pothuajse të përditshme të dronëve turq Bayraktar në Egjeun verilindor. Athina, nga ana e saj, ka kujtuar zyrtarisht se ruan të drejtën, sipas së Drejtës së Detit, për të zgjeruar ujërat territoriale deri në 12 milje detare.Megjithatë, kanalet e komunikimit mbeten të hapura dhe qeveria greke vazhdon të deklarojë se synon dialogun dhe shmangien e një krize të re me Turqinë.

Nga Kastelorizo, Mitsotakis njoftoi edhe masa ekonomike për të mbajtur dhe tërhequr banorë në ishull: 5.000 euro në vit për çdo familje, plus 1.000 euro për çdo fëmijë të mitur, si dhe stimuj të veçantë për nëpunësit publikë, ushtarakët dhe forcat e sigurisë që shërbejnë atje.