TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albin Kurtin për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në një shkresë drejtuar ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Arbërie Nagavci, kërkon caktimin e Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së re.
Në dokument thuhet se propozimi bëhet në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu referuar rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026 dhe vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare.
“Propozojmë z. Albin Kurti – Mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në pjesën përfundimtare të shkresës.
Dokumenti mban datën 13 shtator 2026 dhe i është drejtuar ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Menjëherë pas kësaj, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkuar në Presidencë.
Ai u tha gazetarëve se po ishte ftuar në takim nga ushtruesja e detyrës eë Presidentit, Albulena Haxhiu.
“Më ka ftuar në takim kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu dhe aty po shkoj tani”, tha ai.
Ndryshe, sot pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të shqyrtohet çështja e formimit të Qeverisë së re.
Mbajtjen e seancës për Telegrafin e ka konfirmuar nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë, Emilija Rexhepi.
