BALLKAN, 13 September 2026, 10:57

Kujtim Shala i LDK-së zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës me 75 vota

Kuvendi i Kosovës ka nisur vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa në sallë ishin të pranishëm 82 deputetë.

Pas hapjes së punimeve nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ajo ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk është e pranishme për të paraqitur propozimin e saj për nënkryetar, ndonëse, sipas saj, ishte e njoftuar për seancën.

Haxhiu tha se kjo është hera e tretë që PDK nuk mer pjesë në seancë për të paraqitur kandidatin e saj për pozitën e nënkryetarit.

“Kuvendi nuk mund të mbetet peng i asnjë subjekti politik. Vazhdojmë me propozimin e LDK-së”, ka deklaruar Haxhiu.

Më pas, në votim është hedhur kandidatura e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për nënkryetar të Kuvendit, Kujtim Shala.

Shala është zgjedhur nënkryetar me 75 vota për, 1 kundër dhe 4 abstenime. 

Deputetët e Listës Serbe, Slavko Simiq dhe Igor Simiq nuk i morën votat e mjaftueshme për nënkryetar të Kuvendit.

Slavko Simiq mori 65 vota kundër. Më pas u propozua Igor Simiq, i cili mori 62 vota kundër.

Nënkryetare e Kuvendit nuk arriti të zgjidhej as Liliana Stefanoviq.