BALLKAN, 13 September 2026, 16:05

Kurti shpalos premtimet: Rritje pagash e shtesash, investime miliardëshe në industri dhe ushtri

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka paraqitur ekspozenë e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Duke kërkuar votat për formimin e qeverisë së tij, Kurti tha se ekspozeja e tij kësaj radhe do të jetë e shkurtër dhe pa diçka të re, për shkak, siç tha, të zgjedhjeve të shpeshta që ndodhën në dy vitet e fundit.

Ai, në seancën e jashtëzakonshme ku ishin prezentë vetëm deputetët e LVV-së dhe Listës Serbe, premtoi rritjen e pagës mesatare në sektorin publik në 1 mijë euro.

Kurti përmendi pagën e 14-të për sektorin publik, por shtoi se do të punojnë që paga e 13-të të jetë edhe në sektorin privat.

Kurti, po ashtu, theksoi edhe rritjen e shtesave për fëmijët në 90 euro, ndërkaq paraqiti edhe programin për gjyshërit që do t’i marrin nga 100 euro, që kujdesen për nipërit apo mbesat e tyre 13 deri në 36 muajshe.

“Në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke e ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro në muaj. Rritjen ekonomike nuk e kemi mbajtur për shtet, por e kemi shpërndarë në popullsi. Shtesat për fëmijë që sot janë 30 apo 45 euro për fëmijë, në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë. Në mandatin e radhës, nga 45 në 90 euro për fëmijë te familjet me tre e më shumë fëmijë. Me këtë rritje do të lëmë prapa edhe disa shtete të BE-së sa i përket shtesave. Po ashtu, edhe shtesat për nënat e reja dhe lehonat, nga 1 korriku i kemi rritur për 500 euro për gjashtë muaj... Gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat e moshës 13 deri në 36 muaj, kur të dy prindërit punojnë. Secila gjyshe ose gjysh do të marrë 100 euro shtesë në muaj... Pagën e 13-të në sektorin publik dhe privat që do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, me synimin që të planifikohet edhe paga e 14-të. Paga e 13-të në sektorin publik, ju e dini se ka nisur në vitin 2026”, theksoi Kurti.

Ai tha se këtë mandat do të nisin transformimin e madh ekonomik dhe industrial në Kosovë.

“Të nisim transformimin më të madh ekonomik e industrial në vendin tonë. Prodhimi është themeli i zhvillimit tonë ekonomik. Banka zhvillimore do t’i financojë drejtpërdrejt projektet strategjike, do t’i mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes bankave dhe do t’u japë prodhuesve dhe eksportuesve letër garancie për pagesa. Programi prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri do të garantojë kredi për investime në kapacitete të reja”, shtoi ai.

Për mbrojtjen, Kurti tha se do të ndajnë 1 miliard euro gjatë katër viteve të ardhshme.

“Për ushtrinë do të ndajmë mbi 1 miliard euro gjatë katër viteve në vijim. Industria ushtarake do të përqendrohet në municione, dronë, robotë dhe të tjera. Prodhimi do të nisë brenda vitit 2026. Me Shqipërinë do të krijojmë njësi ushtarake të përbashkëta dhe do të bashkëpunojmë në edukim dhe bashkëprodhim”, tha ai.

Duke folur për politikën e jashtme, Kurti tha se deri në vitin 2030 synojnë t’i përmbyllin kapitujt e integrimit në Bashkimin Evropian dhe të përparojnë për bisedimet për anëtarësim në union.

Kurti theksoi angazhimin për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe hapjen e arkivave nga Shqipëria.

Krahas kësaj, Kurti premtoi përfundimin e autostradës së Gjilanit, rrugën Prizren-Tetovë dhe rrugën e Dukagjinit.