BOTA, 18 July 2026, 19:27

Ministri gjerman paralajmëron rritje të rrezikut për sulme terroriste: Mund të ndodhin në çdo kohë

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, ka paralajmëruar se vendi ndodhet përballë një niveli të lartë kërcënimi, duke theksuar se ekziston rreziku që sulme të ndodhin në çdo moment.

Ne një intervistë për edicionin e së dielës të gazetës” Welt”, Dobrindt deklaroi se informacionet e reja të zbulimit e kanë shtyrë të ngrejë vlerësimin e mëparshëm të një kërcënimi abstrakt në një situatë me kërcënim të lartë.

“Kjo do të thotë se në Gjermani duhet të pritet mundësia e sulmeve në çdo kohë”, u shpreh ai, duke shtuar se planet për sulme ndaj Gjermanisë janë “qartësisht të dallueshme”. Ministri kishte sinjalizuar edhe më herët, gjatë konferencës së ministrave të Brendshëm rreth një muaj më parë, se do të rishikonte nivelin e kërcënimit.

Sipas Dobrindt, ky vlerësim bazohet në një rritje të ndjeshme të informacionit të siguruar nga shërbimet partnere të inteligjencës dhe nga hetimet e autoriteteve gjermane. Ai përmendi gjithashtu shtimin e incidenteve të sabotimit, si edhe forcimin e rrjeteve të agjentëve brenda dhe jashtë Gjermanisë, të cilët dyshohet se po planifikojnë aktivitete spiunazhi dhe sabotimi.