BOTA, 18 July 2026, 10:48

SHBA-ja godet Iranin për të shtatën natë radhazi, përshkallëzohet konflikti

Ushtria amerikane ka kryer për të shtatën natë radhazi sulme ajrore ndaj Iranit, pasi presidenti Donald Trump deklaroi se marrëveshja e përkohshme e armëpushimit kishte “përfunduar”, sipas BBC.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) njoftoi se objektivat ishin qendrat e vëzhgimit, infrastruktura ushtarake, depot nëntokësore të armëve dhe kapacitetet detare.

Sulmet përfunduan pas disa orësh, rreth orës 21:30 sipas kohës amerikane.

Irani pretendoi se iu përgjigj duke sulmuar aleatët e SHBA-së në rajon.

Ushtria e Kuvajtit tha se mbrojtja ajrore kishte përballuar sulme me raketa dhe dronë iranianë, ndërsa Jordania njoftoi se kishte rrëzuar 10 raketa iraniane që hynë në hapësirën e saj ajrore.

Tensionet kanë prekur edhe Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Trafiku detar në këtë zonë është pothuajse pezulluar, për shkak të sulmeve reciproke mes SHBA-së dhe Iranit.

Nëpërmjet kësaj ngushtice kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz të lëngshëm.

Media shtetërore iraniane raportoi shpërthime në qytetin Yazd, në ishullin Qeshm dhe pranë portit të Bandar Abbasit.

Ndërkohë, SHBA-ja hodhi poshtë pretendimet e Iranit se ishin goditur objektiva civile, duke thënë se sulmet ishin kryer vetëm ndaj objektivave ushtarake.

Autoritetet iraniane thanë se shtatë persona u vranë në sulmet në provincën Hormozgan, ndërsa “BBC Verify” verifikoi dëmtime në urën Gariveh në këtë zonë.

Përplasjet vijojnë prej një jave, pasi bisedimet e paqes mes Uashingtonit dhe Teheranit dështuan dhe palët vazhdojnë shkëmbimin e sulmeve.