BOTA, 18 July 2026, 13:11

Sulmet iraniane godasin Kuvajtin, shpërthejnë zjarre në centrale energjie, plagosen zjarrfikësit (VIDEO)

Kuvajti është vënë në shënjestër të sulmeve iraniane, të cilat kanë shkaktuar zjarre në disa zona të vendit dhe kanë lënë të plagosur disa zjarrfikës. Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti i Zjarrfikësve të Kuvajtit, sipas të cilit ekipet e emergjencës ndërhynë pas dy zjarreve të shpërthyera në lokacione të ndryshme menjëherë pas sulmeve.

Sipas autoriteteve, një prej zjarreve shkaktoi plagosjen e disa zjarrfikësve dhe një punonjësi, të cilët u transportuan në spital për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.

Ndërkohë, një tjetër sulm goditi një central të prodhimit të energjisë dhe shkripëzimit të ujit, duke shkaktuar zjarr dhe detyruar autoritetet të ndërpresin funksionimin e disa njësive të prodhimit si masë sigurie.

Mediat e huaja raportojnë se ky është sulmi i dytë ndaj një impianti të tillë në Kuvajt brenda pak ditësh, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike në rajonin e Gjirit, në një periudhë tensionesh të larta mes Iranit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme.

Në një deklaratë, Ministria e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Rinovueshme e Kuvajtit bëri të ditur se sulmi, të cilin e cilësoi pjesë të agresionit iranian, shkaktoi zjarr në një nga seksionet e centralit, duke e bërë të domosdoshëm zbatimin e masave paraprake për funksionimin e tij.

Nga ana tjetër, ushtria iraniane deklaroi në orët e para të mëngjesit se kishte shënjestruar objektiva ushtarake në Kuvajt dhe Jordani si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore amerikane mbi Republikën Islamike. Sipas televizionit shtetëror iranian, forcat e armatosura goditën bazën ushtarake Al Udiri dhe bazën Ali Al Salem në Kuvajt, si dhe bazën ajrore Al Azraq në lindje të Jordanisë.