AKTUALITET, 18 Nëntor 2020, 17:02

Manipulimi/ Veliaj e quan fotomontazhin për Bashën, me aktorin që fle gjumë në kolltuk, një FAKT!  


Kryebashkiaku Erion Veliaj, tashmë do të përballet në gjykatë me kreun e opozitës, Lulzim Basha, pas disa akuzave se ky i fundit, "u bë me vila gjatë pandemisë".

Basha zbuloi në një emision televiziv, se Veliaj dhe avokatët e tij nuk janë paraqitur ende në gjyq.

Mirëpo, ndërkohë që kjo betejë ligjore vijon, kryebashkiaku nuk i ka ndaluar sulmet dhe manipulimet ndaj kreut të opozitës.

Ditën e sotme, në faqen zyrtare të tij në Facebook, Veliaj ka publikuar një video, ku shfaqet moderatori Arian Çani, që komunikon me Bashën në telefon dhe ky i fundit i thotë "isha në gjumë". Video mbyllet me një fotografi të një aktori duke fjetur në kolltuk në një zyrë, imazh i përdorur gjerësisht gjatë fushatës elektorale të PS-së, për të treguar se Basha fle gjumë.

Këtë video, me imazhet e aktorit që imiton Bashën, Erion Veliaj e ka futur në albumin me titull "Fakte".

Pra, aq shumë ka filluar ta besojë Erion Veliaj propagandën e vetë, sa fotografitë e aktorëve që përdoren për fushata elektorale nga partia e tij, tashmë i klasifikon si "FAKTE". Ndoshta kryebashkiaku duhet ta ri-emërtojë kategorinë që ka ndërtuar në Facebook dhe ta ndryshojë nga "Fakte" në "Fakte të bëra vetë" ose më mirë akoma, "Fakte të gatuara vetë"!

PS dhe Veliaj e kanë përdorur edhe në të shkuarën narrativën se Lulzim Basha është "gjumash",  narrativë e ngjashme me atë që Donald Trump ndërtoi për kundërshtarin e tij, Joe Biden, që e quante "Sleepy Joe", pra "Joe gjumashi". Duke qenë se Trumpit nuk i eci në fushatë, ndoshta ka ardhur koha që edhe Lali Eri, të kërkojë një slogan më pak të lodhur se sa ky.

/TPZ.al/