AKTUALITET, 5 Qershor 2019, 13:29

"Mafia ble votat në Shqipëri", Patozi gjuan Ramën me pambuk: Mbaji duart larg nga 30 Qershori!

"Mafia ble votat në Shqipëri", Patozi gjuan Ramën me


Pas publikimit të përgjimeve bombë, nga gazetari i Bild, Peter Tiede, që dëshmon blerjen e zgjedhjeve nga mafia në Shqipëri, ka reaguar edhe partia e Astrit Patozit. Kjo parti, e paralajmëron Ramën, që të qëndrojë larg zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Opozita e vendit ka bojkotuar zgjedhjet, me argumentin se ato manipulohen nga Edi Rama, i cili ka në funksion krimin e organizuar, mediat dhe oligarkët. Por, një parti që do të shkojë në zgjedhje, ëhtë pikërisht Bindja Demokratike, e cila pas këtyre përgjimeve skandaloze,  ka gjetur si mekanizëm për ruajtjen e votave, paralajmërimin ndaj Kryeministrit Edi Rama.

Por, në këtë rast, thirrja e Patozit, duket e panevojshme dhe ai duhet të jetë i qetë,  sepse në këto zgjedhje,  Edi Rama garon me vetëveten dhe nuk duket shumë e nevojshme të përdoret i gjithë arsenali i gangsterëve.

Ja deklarata e plotë e Bindjes Demokratike: 

QEVERIA TË MBAJË LARG DUART NGA ZGJEDHJET NË QARKUN E DURRËSIT

Përgjimet e fundit të publikuara nga tabloidi gjerman “Bild” mbi fushatën e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, ngrejnë para nesh shqetësimin se mekanizmi korruptiv dhe kriminal për deformimin e votës, i përdorur në zgjedhjet e shkuara, është ende aktiv. Sepse në qendër të skandalit është kryetari në detyrë i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ose hierarku më i lartë i Partisë Socialiste në gjithë qarkun. I cili, sipas të gjitha të dhënave tona, është edhe propozuesi i kandidaturave për kryetar bashkie në Durrës dhe në Shijak.

Fakti që në vend të Dakos është caktuar një grua shumë e afërt me të, nuk e bën aspak më të qetë dhe më normale garën për Bashkinë e Durrësit.

Ndërkohë, kandidati i Partisë Socialiste për Shijakun, Elton Arbana, është një ndër personazhet kryesore që kanë dalë në përgjimin e publikuar nga prestigjiozja gjermane, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi fushatën që do të zhvillohet në këtë qytet.

BINDJA DEMOKRATIKE paralajmëron qeverinë që të mbajë larg duart nga zgjedhjet e 30 Qershorit në qarkun e Durrësit dhe kudo tjetër në Shqipëri.

Ajo njëkohësisht fton partnerët ndërkombëtarë dhe vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it që të rrisin vigjilencën dhe ta trajtojnë këtë qark si një zonë me rrisk të lartë manipulimi, që fillon nga shitblerja e votës e përfundon me aktivizimin e segmenteve të kriminalizuara të shoqërisë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve.

/TPZ.al/