TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar sot në Komisionin e Ligjeve projektbuxhetin për vitin 2027, i cili për herë të parë do të jetë përafërsisht 10 miliardë euro.
Gjatë fjalës së tij, Malaj tha se tre prioritetet kryesore të buxhetit 2027 janë mirëqenia sociale dhe mbështetja për qytetarët, stabiliteti fiskal dhe financa publike të qëndrueshme, si dhe investimet, reformat dhe integrimi i vendit në BE.
“Projektligji i buxhetit 2027 është ndërtuar mbi objektivat dhe angazhimet e programit buxhetor afatmesëm 2027-2029, duke përcaktuar kështu drejtimet kryesore të politikës tonë buxhetore për vitin e ardhshëm. Për herë të parë shpenzimet publike të planifikuara tejkalojnë 10 miliardë euro. Kjo shifër historike për nga përmasat e buxhetit, është edhe një përgjegjësi më e madhe për përdorimin me efikasitet të këtyre burimeve, në funksion të interesit të gjerë publik.
Projektbuxheti 2027 është hartuar për të mbështetur prioritetet strategjike të vendit dhe vijimin e investimeve për zhvillimin ekonomik të vendit. Prioriteti i parë është mirëqenia sociale dhe mbështetja për qytetarët tanë. Prioriteti i dytë është stabiliteti fiskal dhe financa publike të qëndrueshme. Prioriteti i tretë janë investimet, reformat dhe integrimi i vendit tonë në BE”, tha mes të tjerash Malaj.
Më tej Malaj theksoi se një nga prioritetet kryesore të buxhetit 2027 është mbështetja për moshën e tretë, përmes indeksimit të pensioneve dhe 2-fishimit të bonusit për pensionistët.
“Një nga prioritetet tona kryesore mbetet vijimi i mbështetjes për moshën e tretë. Pensionet zënë një vend të veçantë në buxhetin 2027. Synohet rritja e të ardhurave të pensionistëve. Konkretisht me buxhetin e vitit 2027 ne parashikojmë afrimin e indeksimit të pensioneve në muajin prill 2027, nga korriku që e kemi aktualisht, me një fond shtesë të parashikuar në buxhet prej 1.35 miliardë lekësh. Parashikohet edhe dyfishimi i vlerës së bonusit mujor për pensionistët, duke nisur nga janari 2027, me një kosto totale prej 20 miliardë lekësh në vit. Pra vetëm këto 2 politika për pensionistët, indeksimi dhe dyfishimi i bonusit, kanë një kosto totale për buxhetin e shtetit prej 24 miliardë lekë, ose 250 milionë euro”, shtoi Malaj.
Malaj theksoi se do të ketë 2-fishim të pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohje të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për kujdestarët e tyre.
Mbështetja për fëmijët e porsalindur do të vijojë sipas ministrit Malaj deri në moshën 5-vjeçare.
“Do dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara, një politikë që e nisëm në korrik të këtij viti, si dhe njohja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Do vijohet me politikën e bonusit të bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç”, vijoi më tej Malaj.
Për strehimin social, sipas ministrit Malaj do të jenë në dispozicion nga buxheti 2027 1.3 milardë euro.
Ai tha se edhe Arsimi dhe Shëndetësia do të jenë prioritet në buxhetin e vitit 2027, në mënyrë që shërbimet për nxënësit e shkollave dhe pacientët e spitaleve të jenë sa më bashkëkohore.
“Do të jenë në dispozicion rreth 1.3 miliardë lekë në vit për strehimin social dhe strehimin e përballueshëm. Do të vijojmë edhe me kompensimin nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48 mijë lekë për familjet që kanë fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Për vitin 2027 financimi për mbrojtjen sociale arrin në 279.7 miliardë lekë, ose rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Arsimi mbetet një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit tonë. Buxheti 2027 parashikon që shpenzimet për arsimin të arrijnë në 93.7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8 miliardë lekësh, krahasuar me nivelin e mëparshëm të financimit. Prioritetet kryesore që do të financohen janë 1.1 miliardë lekë shtesë për rritjen e bursave për studentët që vijnë nga familje në nevojë.
400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë. 500 milionë lekë do të jenë në dispozicion për programin aftër school. Përmes këtyre investimeve ne synojmë që të përmirësojmë kushtet e mësimdhënies dhe të forcojmë lidhjen mes arsimit dhe dijes së vendit. Edhe Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i investimit publik. Për vitin 2027 shpenzimet për sektorin parashikohen në 87.2 miliardë lekë, me një rritje prej 6 miliardë lekësh. Buxheti i vitit 2027 parashikon rreth 27.1 miliardë lekë për Drejtësinë, pra 280 milionë euro afërsisht, ose rreth 14.4 miliardë lekë më shumë sesa drejtësia kishte në vitin 2016”, tha më tej Malaj.
Malaj tha se rritje të financimit nga buxheti i shtetit 2027 do të ketë edhe për bujqësinë dhe mbrojtjen, me qëllim arritjen e standardeve europiane.
“Buxheti për bujqësinë parashikohet në masën e 17.9 miliardë lekëve, me një rritje prej 1.1 miliardë lekësh financim shtesë nga buxheti i shtetit. Për mbrojtjen do të financojmë modernizimin e forcave të armatosura. Për vitin 2027 parashikohet një buxhet për mbrojtjen në masën 76.7 miliardë lekë, me një rritje në financim prej 7 miliardë lekësh”, përfundoi Malaj.