AKTUALITET, 25 August 2026, 11:17

Lëvizja/ Fluks i lartë në dalje në portin e Durrësit, mbi 44 mijë udhëtarë dhe 12 mijë automjete përpunohen në 5 ditë

Një fluks i larte udhëtarësh dhe automjetesh është regjistruar gjatë ditëve të fundit në pikën kufitare të Portit të Durrësit, me lëvizjet që janë përqendruar kryesisht në dalje të vendit.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë pesë ditëve të fundit të javës së kaluar kanë hyrë dhe dalë në këtë pikë kufitare 44 mijë e 810 udhëtarë dhe 12 mijë e 428 mjete.

Ky fluks lidhet kryesisht me kthimin e mijëra emigrantëve drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë, pas përfundimit të pushimeve verore në Shqipëri.

Piku i lëvizjeve është regjistruar gjatë fundjavës. Të shtunën janë përpunuar 11 mijë e 145 pasagjerë dhe 3 mijë e 167 mjete, ndërsa të dielën 11 mijë e 33 udhëtarë dhe 2 mijë e 543 automjete.

Sipas të dhënave, edhe gjatë dhjetëditëshit të fundit të gushtit pritet që fluksi të jetë i përqendruar kryesisht në dalje të vendit, ndërsa strukturat portuale vijojnë përpunimin e lëvizjeve të udhëtarëve dhe automjeteve.

Vetëm gjatë dhjetë ditëve të para të gushtit, në Terminalin e Trageteve të Portit të Durrësit janë përpunuar 75 mijë e 962 pasagjerë, në hyrje dhe dalje të vendit.

Ndërkohë, përgjatë periudhës janar–korrik 2026, në Terminalin e Trageteve të Portit të Durrësit kanë udhëtuar gjithsej 349 mijë e 423 pasagjerë. Prej tyre, 160 mijë e 795 pasagjerë janë nisur nga Durrësi drejt porteve të tjera, ndërsa 188 mijë e 628 pasagjerë kanë mbërritur në Shqipëri përmes këtij terminali.