SPORT, 8 Shkurt 2020, 16:20

Laçi nuk reziston ndaj Kukësit, verilindorët përmbysin rezultatin dhe marrin kreun e klasifikimit

Laçi nuk reziston ndaj Kukësit, verilindorët përmbysin

Kukësi ka bërë detyrën dhe ka marrë tre pikë të artë në Elbasan, teksa mposhtën me rezultatin 3-1, Laçin. Verilindorët vuajtën jo pak gjatë sfidës, teksa u ndëshkuan të parët me anë të sulmuesit kurbinas, Nuabueze në minutën e 36-të. Ky i fundit nuk e pati të vështirë të shënonte nga fare pranë portës pas një pasimi të Grecës.

Ndërkohë, pak minuta më parë, nigeriani me pasaportë amerikane shpërdoroi një shans të pastër, teksa u neutralizua nga portieri Xhika. Ndërkaq, avantazhi i kurbinasve zgjati vetëm tre minuta pasi Kristal Abazaj shënoi për Kukësin në minutën e 39-të duke i dërguar të qetë në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë, në fraksionin e dytë të sfidës Laçi iu afrua shumë golit, por ishin të pafat teksa në goditja e Deliut nga goditja e dënimit u ndal në tranversë.

Kjo duket sikur zgjoi Kukësin që më pas realizoi falë sulmuesit Shkurtaj (68'), i cili shfrytëzoi në maksimum pasimin nga Musta. Me kalimin e minutave verilindorët gjetën edhe golin e qetësisë me Et’hemin (79'). Kështu, përfundimisht Kukësi fitoi me rezultatin 3-1, teksa verilindorët kthehen në vendin e parë të klasifikimit ndërsa kurbinasit mbeten në vendin e tretë.