BALLKAN, 23 September 2026, 15:36

Kushtetuesja jep vendimin për Kuvendin e Kosovës, 6 tetori afati për zgjedhjen e Presidentit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë vendimin për kërkesat që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.

Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar në Kushtetutë. Megjithatë, ajo ka vlerësuar se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator 2026 nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Një nga pikat kryesore të vendimit lidhet me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Sipas Kushtetueses, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Gjykata ka kërkuar gjithashtu që deputetët të zgjedhin sa më shpejt nënkryetarin e Kuvendit nga grupi i dytë më i madh parlamentar.

Ndërkohë, kërkesa për vendosjen e një mase të përkohshme është refuzuar. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese.