BALLKAN, 22 September 2026, 20:34

Bosnje dhe Hercegovinë/ Dodik jashtë listave zgjedhore në Republikën Sërpska, por jo jashtë fushatës

Bosnje dhe Hercegovinë/ Dodik jashtë listave zgjedhore në

Edhe pse me vendim gjykate i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike dhe nuk gjendet në asnjë listë kandidatësh, Millorad Dodik vazhdon të jetë figura qendrore e fushatës zgjedhore në Republikën Sërpska.

Analistët vlerësojnë se, politikisht, nuk ka fare rëndësi se çfarë pozite mban Dodik, pasi “pushteti në Republikën Sërpska është i personalizuar në sytë e votuesve atje”.

Gjatë fushatës, Dodik tashmë ka vizituar Izraelin, ndërsa ka paralajmëruar edhe një udhëtim në Moskë.

Në qytete anembanë Republikës Sërpska - entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës - votuesit i vështron një njeri nga billbordet e fushatës, të cilit ligji ia ndalon të mbajë çfarëdo funksioni publik.

Millorad Dodik, i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, formalisht mban vetëm postin e kryetarit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).

Por, në praktikë, edhe pse gjykata ia ka ndaluar ushtrimin e funksioneve publike për gjashtë vjet - prej të cilëve një tashmë ka kaluar - Dodik vazhdon ta diktojë ritmin e fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 4 tetorit.

A qëndron sekreti te “kulti i individit”?

Vesna nga Banjalluka mendon se arsyeja qëndron te fakti se “populli i do udhëheqësit”, por edhe se Dodik, edhe kur “shtyhet drejt murit”, gjithmonë gjen një mënyrë për ta kapërcyer situatën.

“Ai ka arritur të ndërtojë një kult të individit. Përveç kësaj, mendoj se është shumë inteligjent dhe arrin të dalë nga çdo situatë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se gjatë gjithë fushatës është harruar krejtësisht presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan, i cili, siç thotë, “është degraduar si figurë dhe si politikan”.

Karan fitoi zgjedhjet për president të entitetit, të shpallura pas ndërprerjes së parakohshme të mandatit të Dodikut, vetëm shtatë muaj më parë.

Mirkoja thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë tashmë janë mësuar me praninë e Dodikut, ndaj nuk u duket aspak e pazakontë ta shohin edhe në një fushatë tjetër zgjedhore.

“Njerëzit tashmë janë mësuar me të, janë mësuar me atë që bën. Dhe kjo nuk ndodh vetëm te ne. [Presidenti rus, Vladimir] Putin, për shembull, ka qenë edhe kryeministër, edhe president, ndërsa personat në funksione të tjera kanë qenë, si të thuash, më pak të rëndësishëm se ai. Kështu është edhe me Dodikun. Edhe kur ishte kryeministër, edhe kur ishte president, ai ishte gjithmonë figura më e rëndësishme”, thotë Mirkoja.

Ky banor i Banjallukës shton se prania e Dodikut në billborde ua rrit mbështetjen kandidatëve të tjerë dhe i siguron vota partisë së tij, pasi, siç shprehet, Dodiku dhe SNSD-ja janë praktikisht e njëjta gjë në sytë e votuesve.

Raportimet e mediave në Republikën Sërpska i japin Dodikut hapësirë të barabartë me kandidatët zyrtarë, ndërsa udhëtimet e tij jashtë vendit, nga Izraeli në Rusi, tregojnë se levat kryesore të pushtetit vazhdojnë të mbeten në duart e njëjta.

Kjo prani e tij në fushatë ngre disa pyetje: sa efektiv ka qenë dënimi ndaj tij, a vazhdon ai të jetë ‘de facto’ figura kryesore e pushtetit në Republikën Sërpska edhe pse nuk mban më funksion publik dhe sa të pavarur janë kandidatët e SNSD-së nga politika e tij?

Deri në publikimin e këtij artikulli, as SNSD-ja dhe as partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike Serbe (SDS), nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për rolin e Dodikut në fushatën zgjedhore.

Gjatë katër vjetëve të fundit, SNSD-ja e Dodikut ka qenë një nga partitë më të fuqishme në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në Republikën Sërpska, partia ka pasur postet e presidentit dhe të kryeministrit, si dhe shumicën në Kuvendin Popullor.

Në nivel shtetëror, SNSD-ja ka qenë partia më me ndikim nga Republikën Sërpska dhe pjesë e koalicionit qeverisës në Këshillin e Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës.

Çfarë interesi shohin Moska dhe Jerusalemi te Dodiku?

Dodiku ka marrëdhënie të afërta me udhëheqjen izraelite, ndërsa takimet e nivelit të lartë janë intensifikuar gjatë viteve të fundit.

Siç raportoi më 17 shtator transmetuesi publik, Radio-Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS), Millorad Dodik u takua në Tel Aviv me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ai udhëtoi në Izrael pa asnjë prej kandidatëve për postet më të larta në Republikën Sërpska.

Atë e shoqëroi Ana Trishiq Babiq, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Zyrës së sapoformuar për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Republikës Sërpska dhe ish-zëvendësministre e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës.

Një ditë më vonë, Dodiku njoftoi në rrjetin social X se më 29 shtator do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ai e kishte paralajmëruar këtë takim edhe disa ditë më herët, në një tubim zgjedhor.

Atëkohë kishte thënë se do të udhëtonte në Moskë dhe se me të, me gjasë, do të shkonin edhe Savo Miniq, kryeministri aktual i Republikës Sërpska, dhe Zhelka Cvijanoviq, anëtare e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Të dy janë kandidatë të SNSD-së.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Dodiku dhe Putini janë takuar zyrtarisht dhjetë herë.

Takimi i fundit zyrtar u zhvillua në Moskë në maj, me rastin e Ditës së Fitores mbi fashizmin.

Udhëheqësi rus mban marrëdhënie, qoftë drejtpërdrejt apo përmes ndërmjetësve, me politikanë që kundërshtojnë establishmentin, përfshirë edhe Dodikun, thotë për Radion Evropa e Lirë Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit (DPC).

“Në thelb, bëhet fjalë për aktorë antiperëndimorë, si të thuash. Për shembull, AfD-ja në Gjermani apo FPO-ja në Austri. Putini beson se mund t’i shfrytëzojë këta njerëz për ta përçarë Perëndimin, për ta dobësuar vendosmërinë e tij dhe për t’i minuar sanksionet ndaj Rusisë dhe vetvetes”, thotë Vogel.

Me Netanyahun situata është ndryshe, sipas tij, ndonëse edhe kryeministri izraelit është aktiv në mbarë rajonin, ku po krijon marrëdhënie të reja.

“Netanyahu, në fakt, ka ndërtuar një rrjet të gjerë bashkëpunimi me politikanë që janë të afërt me të në mbarë rajonin. Disa prej këtyre marrëdhënieve mund të mbështeten më shumë në ideologjinë politike - në një lloj politike ndërkombëtare reaksionare, që përputhet mirë me mënyrën se si [presidenti amerikan] Donald Trump e sheh botën”, vlerëson ai.

Vogel shton se nga kjo marrëdhënie përfitojnë të dyja palët. Për Izraelin, ajo hap “kanale alternative komunikimi” - diçka veçanërisht e rëndësishme për këtë vend, për shkak të marrëdhënieve aktualisht të tensionuara me Bashkimin Evropian dhe me vendet kryesore anëtare të tij, si pasojë e luftës në Gazë, thotë ai.

Vogel shton se, përmes aktiviteteve të tij jashtë vendit dhe publikimit të shpeshtë të fotografive me zyrtarë rusë, izraelitë apo amerikanë, Dodiku synon të përcjellë mesazhin se është një “lojtar i madh”.

Megjithatë, Vogel thekson se bëhet fjalë për një rajon të vogël, “në një vend periferik, në skajet e Evropës”, dhe se synimi është të krijohet përshtypja e një ndikimi më të madh sesa ai që ka në të vërtetë.

Dodik, Vuçiç dhe pushteti “i personalizuar”

Analisti politik nga Zagrebi, Davor Gjenero, thotë për Radion Evropa e Lirë se Dodiku ka përvojë të mjaftueshme për ta kuptuar se Bashkimi Evropian, si një bashkësi e bazuar në sundimin e ligjit, është kundërshtari më i madh i modelit të tij politik.

Për këtë arsye, sipas Gjeneros, aleatë të natyrshëm të Dodikut janë pikërisht ata që synojnë destabilitet në kufijtë e Bashkimit Evropian, si Vladimir Putin dhe Benjamin Netanyahu.

Gjenero vlerëson se Dodiku, si kryetar i partisë, kontrollon grupet e saj parlamentare si në nivel shtetëror, ashtu edhe në atë të entitetit - gjë që e bën atë “aktor kyç”.

“Ashtu si Vuçiçi, në postin e presidentit, ishte ‘de facto’ kryeministër i Serbisë, edhe Dodiku është ‘de facto’ kryeministër në nivel të entitetit, ku SNSD-ja kontrollon shumicën parlamentare”, thotë Gjenero.

Për Vogelin, politikisht nuk ka fare rëndësi se çfarë pozite mban Dodiku, pasi “pushteti në Republikën Sërpska është i personalizuar”.

“Është krejtësisht njësoj edhe në Serbi. Nuk ka rëndësi nëse Vuçiq është president apo kryeministër. Nuk ka rëndësi se çfarë përcakton Kushtetuta për rolin e presidentit dhe atë të kryeministrit. Nëse aty është Aleksandar Vuçiç, aty është edhe pushteti. Dhe, situata është shumë e ngjashme në Republikën Sërpska”, thotë Vogel.

“Lista e zezë” dhe pasardhësi politik

Edhe pse Dodik nuk është në listën e kandidatëve, djali i tij, Igor, është.

Igor Dodik kandidon për herë të parë në listën e SNSD-së dhe është bartës i listës për parlamentin e entitetit në njësinë zgjedhore 3 - më e madhja në Republikën Sërpska, e cila përfshin Banjallukën dhe zgjedh 12 deputetë.

Meqë SNSD-ja ka marrë numrin më të madh të votave në këtë zonë në pothuajse të gjitha zgjedhjet e mëparshme, e njëjta gjë pritet edhe këtë herë.

Kështu, pas 20 vjetësh - që kur babai i tij kaloi nga ulësja e deputetit në postin e kryeministrit - një anëtar i familjes Dodik pritet të jetë sërish pjesë e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska.

Deri para disa vitesh, Dodiku i ri nuk ishte fare aktiv në politikë.

Pasi u angazhua, shumë shpejt u emërua në postin e sapokrijuar të sekretarit organizativ të SNSD-së.

Si babai, ashtu edhe i biri, kanë qenë nën sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit - për cenim të Marrëveshjes së Dejtonit, përkatësisht për korrupsion - por këto sanksione iu hoqën në tetor të vitit 2025.

Që nga viti 2017, kur Millorad Dodik u fut për herë të parë në listën amerikane të sanksioneve, autoritetet e Republikës Sërpska kanë shpenzuar së paku 8.3 milionë dollarë për lobim në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave publike të Departamentit amerikan të Drejtësisë./ REL