BALLKAN, 21 September 2026, 22:15

Avokati i Thaçit: Tre Gjykatësit e Speciales njollosën UÇK-në dhe NATO-n

Pierre-Richard Prosper, avokat i ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur lidhur me përgjegjësinë e shteteve dhe mënyrën e funksionimit të tribunaleve ndërkombëtare.

Prosper ka theksuar se shtetet duhet të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre sovrane dhe të kenë rol në proceset që lidhen me drejtësinë dhe interesat e qytetarëve të tyre.

“Më e rëndësishmja këtu është që shtetet duhet të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre sovrane. Kur fillojnë t’i shikojnë këto tribunale, qoftë Kosovë, pse një tjetër që po shqyrtohet për Ukrainën, qeveritë duhet të kuptojnë që ato kanë përgjegjësi ndaj komunitetit dhe ndaj popullit. Populli ka përgjegjësi ndaj kombit të tyre”, ka deklaruar Prosper.

Avokati amerikan u ndal edhe te cilësimi i UÇK-së si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, duke pretenduar se një përcaktim i tillë nënkupton edhe një lidhje mes NATO-s dhe një organizate kriminale.

“Kur dëgjoni se çfarë kanë thënë, ata kanë thënë se ka qenë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale dhe kanë thënë se Hashim Thaçi e të tjerët kanë qenë në krye të të gjithë UÇK-së dhe të gjitha abuzimeve që ka bërë UÇK-ja. Nuk e kanë thënë se kanë qenë disa individë në UÇK që nuk e kanë bërë këtë, kështu u urdhërua ose një fraksion që ka qenë përgjegjës”, u shpreh Prosper.

Sipas tij, vendimi ka prekur jo vetëm individët e gjykuar, por edhe perceptimin mbi UÇK-në dhe historinë e çlirimit të Kosovës.

“Ata kanë njollosur të gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në esencë kanë njollosur të gjithë trashëgiminë e çlirimit të Kosovës dhe të pavarësisë. Kanë njollosur NATO-n dhe në esencë kanë thënë se NATO-ja ka hyrë në partneritet me Ndërmarrje Kriminale”, tha avokati.

Në përfundim, Prosper kritikoi ashpër trupin gjykues, duke e cilësuar vendimin si një ndërhyrje në mënyrën se si interpretohet historia.

“Tre burra dhe një herë e përsëris, dua që shikuesit tuaj të dëgjojnë se çfarë po them, tre burra kanë rishkruar dhe kanë shlyer historinë!”, deklaroi Prosper.