AKTUALITET, 8 Qershor 2019, 23:27

Ku bazohet Presidenti për ç’dekretimin e 30 qershorit? Përgjigjet ish-ministri: Ku u bazuan dy Presidentë të tjerë

Ku bazohet Presidenti për ç’dekretimin e 30 qershorit?

Pyetja se është bazuar presidenti i Republikës, Ilir Meta për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i jep një përgjigje të thjeshtë.

“Pyetja se “cili është neni që bazohet ç’dekretimi i zgjedhjeve për të caktuar një darë tjetër”, ka këtë përgjigje: Tek i njëjti nen ku janë bazuar Presidentën e mëparshëm Moisiu (2007) dhe Nishani (2017), të cilët zyrtarisht kanë bërë të njëjtën gjë”, shkruan ai.

Në një reagim tjetër, ai thotë se vendimi i Metës është i duhuri pavarësisht se i sforcuar.

“E sforcuar por gjëja e duhur, ishte zgjidhja që dha më në fund Presidenti i Republikës. Ka ndodhur dhe më parë ç’dekretimi i datës së zgjedhjeve, por në kuadër të një proçesi politik. Ndaj them “e sforcuar”.

Por absolutisht gjëja e duhur. Nuk mund të zbatohej një dekret për mbajtje zgjedhjesh, pa zgjedhje.

Nga ana tjetër, Presidenti është përfaqësues i unitetit të popullit dhe smund të lejojë që ngjarjet e dekretuara prej tij të çojnë në përçarje.

Tani është momenti të fillojnë konsultimet për një datë të re. Shpresoj që këto konsultime të prodhojnë dhe dialogun e munguar.

Deklaratat e tjera kërcënuese të tipit që “ne do i bëjmë zgjedhjet edhe pa dekret”, shpresoj të jenë ende të nxituara…. Ende më ngjajnë si thirrja që ju bëri policëve në 2017 hiqini kapelet e bëni fushatë për PS… Shpresoj vërtetë të jenë të nxituara për konsum militantësh… Ende nuk e mendoj dot Kryeministrin si Puçist…”, shkruan ai