TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas një pune intensive kërkimore, pamundësisë për t’u fshehur dhe negociatave me familjarët, vetëdorëzohet autori i dyshuar i plagosjes së 29-vjeçarit, ditën e djeshme, në Krumë të Kukësit.
Sekuestrohet edhe arma e zjarrit, pistoletë, me të cilën dyshohet se autori kreu plagosjen.
Gjatë kontrollit në automjet dhe në banesë, Policia gjen dhe sekuestron një armë zjarri kallashnikov, një dylbi, një antiplumb dhe municion luftarak.
“Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në DVP Kukës, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Has, bënë arrestimin e shtetasit F. D., rreth 30 vjeç, banues në Krumë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 08.09.2026, në rrugën e quajtur “Kryqëzimi i Spitalit”, në Krumë, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ky shtetas ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin J. A., 28 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, tha policia.
Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Si rezultat i punës së pandërprerë të Policisë dhe negociatave me familjarët e tij, shtetasi F. D. është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, së bashku me armën e zjarrit, e dyshuar si arma e përdorur në kryerjen e plagosjes, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes.