AKTUALITET, 9 September 2026, 12:42

"Vetëm një herë me shpullë e godita”/ U la në arrest shtëpiak, zbardhet dëshmia e Jozefin Markut në Gjykatë: Ishte moment gjaknxehtësie

Zbardhen detaje të reja nga seanca me dyer të mbyllura që u dha sot për këngëtarin Jozefin Marku dhe shoferin e tij Kristjan Nikolli ditën e sotme (9 shtator).

Këngëtari dhe i afërmi i tij akuzohen për dhunën ndaj Eduard Kuçit, ish-konkurrent i Për’puthen, teksa gjykata ka caktuar masën “arrest shtëpie” për të dy.

Në dëshminë e tij, Marku është mbrojtur duke u shprehur se ka qenë veprim gjaknxehtësie dhe se Kuçi i ka sharë familjen, informon gazetarja Anila Hoxha.

“Kërkoj ndjesë për veprimin. E kam kryer në gjaknxehtësi e sipër. Nuk e njihja më parë Eduard Kuçin. E kam njohur në rrjetet sociale, ku më ka sharë familjen.

E kam goditur vetëm një herë me shpullë, duke i thënë të më kërkojë falje që më ka sharë familjen”, mësohet të jetë shprehur Jozefin Marku.

Sakaq, Nikolli ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje, ndërsa për municionin që i kanë gjetur në banesë ka deklaruar se ishte i ndryshkur dhe në kushte të papërdorshme.

“Unë atë natë që ka ndodhur ngjarja kam qenë në një dasmë, nuk kam qenë prezent në vendngjarje. Unë jozin e kam mik, këtë e dinë të gjithë. Fishekët që keni gjetur në shtëpinë time ishin të ndryshkur, nuk e di përse ishin aty”, ka dëshmuar Kristjan Nikolli.