AKTUALITET, 10 August 2026, 21:25

“Jo presion e ndëshkim me ujin”/ Tirana dhe Beogradi përplasen për Kosovën, ministri Djuriç i përgjigjet homologut Hoxha: Mos ndërhyni!

Shefi i diplomacisë shqiptare, Ferit Hoxha, dënoi paralajmërimin e presidentit Vuçiç, teksa i kujton të drejtat ndërkombëtare të ujërave ndërkufitare.

“Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur. Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”.

I menjëhershëm dhe i ashpër ishte reagimi i Beogradit. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Djuriç, sulmon qëndrimin e Tiranës Zyrtare, me pretendimin se vendi ynë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në mënyrën sesi Serbia menaxhon burimet e saj ujore.

“Lumi Ibër nuk kalon nëpër Shqipëri dhe Shqipëria nuk është shtet breglumor në pellgun e tij. Për këtë arsye, Shqipëria nuk ka asnjë bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar një rol në përcaktimin e mënyrës se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe detyrimet e saj ndërkombëtare. Vendimi i Tiranës për t’u përfshirë në këtë çështje, ndërkohë që shpërfill presionin sistematik ndaj popullsisë serbe dhe sulmet ndaj pronës serbe, ngre në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje për motivet politike të kësaj ndërhyrjeje”.

I have carefully noted Minister @HoxhaFer’s statement concerning the Ibar River.

What we are witnessing is a clear attempt to change the subject and divert attention from the continuing violations of the fundamental rights of the Serbian people in #KosovoandMetohija—violations…

— Марко Ђурић (@markodjuric) August 10, 2026

Tensionet mes dy vendeve ballkanike vijnë vetëm pak ditë pas njoftimit se Shqipëria dh Serbia ishin në diskutime për hapjen e dy zyrave konsullore, një zyrë shqiptare në Bujanoc, në Luginën e Preshevës, dhe një zyrë serbe në Shkodër. Në fund të muajit korrik, ministrat e Jashtëm të të dy vendeve folën pozitive për këto negociata, ndonëse lajmi u shoqërua me reagime të shumta kundërshtuese në Shqipëri.