TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka rikthyer përsëri efektin e rritjes së çmimeve, të cilat janë reflektuar edhe në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit korrik niveli i çmimeve në vend pësoi rritje, i ndikuar nga karburantet, qiratë dhe ushqimet.
Ndërsa inflacioni në muajin korrik 2026 arriti në 3,4%, nga 2,5% që ishte në të njëjtin muaj të një viti më parë. Po ashtu, rritje vërehet edhe nëse shohim nivelin e inflacionit një muaj më parë. Rritja vjetore e çmimeve në muajin korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,18%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 0,83% dhe çmimet e grupit “Transporti” me 0,52%.
Kjo pasi gjatë muajit korrik u regjistrua një tjetër shtrenjtim i çmimit të karburanteve, i ndikuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, duke u shitur me rreth 215 lekë për litër. Ndërkohë, turizmi dhe rritja e kërkesës për apartamente me qira në platformat Booking apo Airbnb kanë ndikuar në shtrenjtimin e qirave në korrik.
Pavarësisht rritjes së inflacionit, Banka Qendrore e la të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2,5%, duke argumentuar se kjo situatë do të jetë afatshkurtër. Megjithatë, kur inflacioni rritet mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, që është 3%, ky institucion reagon për të stabilizuar nivelin e çmimeve. Ajo mund të shtrëngojë politikën monetare duke rritur normën bazë të interesit, çka shton kostot e kredive, frenon kërkesën për kredi dhe forcon lekun. Por gjithçka tashmë do të varet nga ecuria e nivelit të inflacionit në muajt në vijim.