BOTA, 23 October 2026, 16:03

Italia në alarm për trazira të reja/ Qindra forca sigurie në gatishmëri, Milanos mund t’i ndalohen protestat

Italia në alarm për trazira të reja/ Qindra forca sigurie në

Autoritetet italiane kanë marrë masa të shtuara sigurie për të parandaluar protesta të dhunshme dhe trazira të reja gjatë kësaj fundjave, duke vënë në gatishmëri qindra forca sigurie, pas episodeve të dhunës që përfshinë disa qytete të vendit fundjavën e kaluar.

Masat janë forcuar në disa qytete, përfshirë Milanon, Romën dhe Torinon, për shkak të frikës se përplasjet e dhunshme mund të përsëriten edhe gjatë ditëve në vijim. Sipas raportimeve, një numër i madh forcash shtesë të sigurisë janë vënë në gatishmëri.

Në Milano dhe qytete të tjera, protestat kundër kostos së lartë të jetesës, të cilat fillimisht u zhvilluan në mënyrë paqësore, përfunduan në dhunë.

Në sheshin “Piazza del Duomo”, pranë katedrales së Milanos, si dhe në zonat përreth, grupe të rinjsh, shumica të veshur me të zeza dhe me fytyrat e mbuluara, thyen vitrinat e dyqaneve dhe grabitën dyqane e supermarkete.

Pas trazirave të fundjavës së kaluar, qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni njoftoi se do të reagonte me vendosmëri.

Disa ditë më parë, qeveria miratoi një dekret për dërgimin e 500 trupave shtesë në Milano, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë.

Sipas raportimeve, stacionet e trenave në rajonin e Lombardisë, ku ndodhet Milano, po mbikëqyreshin dhe kontrolloheshin sot në mënyrë të rreptë.

Qëllimi i këtyre masave është të pengohet mbërritja në qytet e grupeve të të rinjve që mund të përfshihen në trazira.

Gazeta “Corriere della Sera” raporton se demonstratat nuk do të lejohen në qendër të Milanos, ndërsa policia po përgatitet të kryejë arrestime parandaluese për të shmangur incidente të mundshme.

Sipas së njëjtës gazetë, në rrugët e qytetit do të patrullojnë së bashku efektivë të policisë dhe ushtarë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Për momentin, autoritetet nuk po shqyrtojnë vendosjen e një shtetrrethimi, siç ka ndodhur në Francën fqinje.

Sipas gazetës, autoritetet italiane synojnë të shmangin paralizimin e jetës së përditshme në Milano, pavarësisht masave të shtuara të sigurisë.

Dyqanet, muzetë dhe stacionet e metrosë do të mbyllen vetëm në rast se situata përkeqësohet dhe një masë e tillë bëhet e nevojshme.