BOTA, 26 July 2026, 10:32

Identifikohet autori i dyshuar i sulmit në Berlin, zëdhënësi i policisë: Ka lidhje me qarqet islamike

Policia e Berlinit ka identifikuar autorin e dyshuar të sulmit me furgon gjatë paradës së Krenarisë LGBTQ+, ku humbi jetën një person dhe mbetën të plagosur të paktën 16 të tjerë.

Policia raporton se është duke kërkuar për një të dyshuar 21-vjeçar, të cilin e kanë identifikuar si Abdul B.

Sipas autoriteteve, i dyshuari nuk është arrestuar ende, por është i njohur për policinë dhe ka lidhje me qarqet ekstremiste islamike në kryeqytetin gjerman.

“I dyshuari është i njohur për policinë. Ai njihet nga ne si anëtar i qarqeve islamike këtu në Berlin dhe kërkimi për të vazhdon me intensitet të plotë”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Florian Nath.

Policia bëri të ditur se furgoni hyri në parkun Tiergarten rreth orës 22:00, ku përplasi disa persona përpara se të përplasej me një pemë.

Hetuesit po marrin në pyetje dëshmitarët dhe po verifikojnë edhe raportimet sipas të cilave disa nga viktimat mund të kenë pësuar plagë me thikë, megjithëse autoritetet theksojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime.

Ndërkohë, kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar vijojnë, ndërsa policia u ka bërë thirrje qytetarëve të dorëzojnë çdo foto apo video që mund të ndihmojë në hetim.