TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
1.
Së pari diçka për revistën “Der Spiegel”. Ajo është quajtur armë efikase apo e fuqishme e demokracisë (në gjermanisht: “Sturmgeschütz der Demokratie”). Dhe pas këtij cilësimi gjendet një histori: natën e 26 tetorit të vitit 1962 hetuesit kontrolluan zyrat e revistës “Der Spiegel” në Hamburg dhe Bonn. Arsyeja? Dy javë më parë, revista kishte botuar një raport kritik ku theksohej se Gjermania Perëndimore nuk do të kishte asnjë shans për mbijetesë në rast të një sulmi sovjetik. Gjatë bastisjes u arrestuan botuesi dhe disa redaktorë. Ata u mbajtën në paraburgim deri në 103 ditë. Sulmi ndaj “Der Spiegel” nuk e fundosi revistën. Përkundrazi: tirazhi u rrit.
2.
Revistën “Der Spiegel” nuk ka arritur ta nënshtrojë pushteti më 1962. A do të arrijë ta nënshtrojë Elon Musk? Me gjasë jo. Amerikani me origjinë jugafrikane, pronar i pazarit të thashethemeve të quajtur X, dikur i njohur si Twitter, është ankuar se një raport kritik i “Der Spiegel” nxit kryerjen e një atentati ndaj tij. Edhe njëherë: raporti nxit atentatin ndaj njeriut më të pasur në botë? Në rrjetin e tij të quajtur X Musk shtoi: “Me siguri do të rris masat e mia të sigurisë. Paradën me makinën e hapur ndoshta do ta anuloj... ishte vetëm një shaka.” Ndryshe mendoi Richard Grenelli, ish-ambasador i Donald Trumpit në Berlin. Ai postoi disa ballina të “Der Spiegel” dhe shtoi se revista ishte e njohur “për antiamerikanizëm dhe antisemitizëm”. Grenell duket se shpreson të jetë ministër i jashtëm në kabinetin e Donald Trumpit, në qoftë se ky arrin të fitojë zgjedhjet më 5 nëntor (gjasat janë reale. Disa arsye jepen në fund të këtij teksti).
3.
“Der Spiegel” nuk bëri kurrfarë sakrilegji, kreu punë hulumtuese gazetareske dhe që në hyrje shkroi se në një bisedë me moderatorin e së djathtës ekstreme Tucker Carlson, Musk tha se deri më tani askush nuk ka tentuar ta vrasë kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris “sepse kjo do të ishte e padobishme”. E quajti edhe “kukull” dhe “marionetë”. Diçka të ngjashme, sipas “Der Spiegel”, Musk kishte postuar më parë në Twitter dhe e kishte fshirë më vonë. “A thua i ishte bërë e qartë se disa nga fansat e tij mund ta kuptonin këtë si thirrje për veprim?”, pyet “Der Spiegel”.
Nuk është harruar as gjuha e vrazhdë e Elon Muskut kundër këngëtares së famshme Taylor Swift, e cila njoftoi se do të mbështeste Kamala Harrisin në zgjedhjet presidenciale. Musk reagoi në X me këtë postim: “Bravo Taylor... ke fituar... do të të dhuroj një fëmijë dhe do t’i mbroj macet e tua me jetën time.” Ky mesazh mund të (keq)kuptohej edhe si aludim për përdhunim.
“Njeriu më i pasur në botë, llapaqen, me një pasuri prej 250 miliardë dollarësh, me një prirje të shfaqur publikisht për substanca të forta për të luftuar depresionin dhe sëmundjet e tij, me një dashuri të habitshme për autokratët dhe sundimtarët, me një botëkuptim të ashpër djathtist dhe urrejtje për gjithçka që është ‘woke’, e majtë, ‘queer’ apo thjesht shumë demokratike, përfaqëson një tip tërësisht të ri të magnatit: ai nuk kontrollon vetëm qasjen ndaj masave, por edhe ndaj burimeve të pafundme të parave dhe, më e rëndësishmja, ndaj infrastrukturës më moderne dhe teknologjisë së sofistikuar”, nënvizon “Der Spiegel”.
4.
Në rast se Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, Musk dëshiron të jetë pjesë e ekipit qeveritar. Që tani ai ka shumë pushtet: pa firmën e tij SpaceX, Nasa amerikane praktikisht nuk mund të dërgojë në gjithësi asnjë satelit. Firma e Musk Neuralink së fundi mori pëlqimin e autoriteteve amerikane për të implantuar çipe në trurin e njerëzve. Me Starlink Musk mund të ofrojë internet nga sateliti në çdo cep të botës.
Paralelisht me radikalizimin e tij politik ecën edhe qasja prej lojcaku në fushatën elektorale. Para 10 ditësh Musk njoftoi se deri në zgjedhjet në SHBA do të dhurojë çdo ditë një milion dollarë për një votues të regjistruar në shtetet që kanë konkurrencë të fortë elektorale. Kjo iniciativë synon votues të regjistruar që nënshkruajnë një peticion. Peticion për çka? Në thelb kjo është një lotari për mobilizimin e përkrahësve të Donald Trumpit. Autoritetet amerikane të drejtësisë, por edhe juristë të njohur kanë paralajmëruar se kjo lojë e Muskut është potencialisht e paligjshme.
5.
Nuk ishte vetëm “Der Spiegel” që e vuri në shënjestër Elon Muskun. Sipas një raporti të “Wall Street Journal”, dyshohet se ekziston një kontakt mes diktatorit rus Vlladimir Putin dhe Elon Muskut. Sipas gazetës konservatore amerikane, Musk ka pasur kontakte të rregullta me presidentin rus që nga fundi i vitit 2022. “Wall Street Journal” i referohet disa zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm të qeverisë nga SHBA, Europa dhe Rusia. Në bisedat mes Muskut dhe Putinit thuhet se janë diskutuar tema gjeopolitike, biznesi dhe çështje personale. Musk as që ka reaguar ndaj kërkesave të “Wall Street Journal” për të komentuar akuzat e reja ndaj tij. Njëjtë kishte vepruar edhe ndaj “Der Spiegel”.
6.
Në një analizë aktuale “Der Spiegel” numëron disa arsye pse Trump mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Sistemi zgjedhor i SHBA-së favorizon zonat rurale dhe, si rrjedhojë, Partinë Republikane. Ekonomia amerikane në fakt po lulëzon, por për shkak të çmimeve të larta sidomos për artikujt ushqimorë, shumë njerëz e fajësojnë Joe Bidenin. Dhe Kamala Harrisin. Mbështetja e afro-amerikanëve dhe latino-amerikanëve për demokratët është bërë më e brishtë. Një pakicë mund të votojë për Trumpin - dhe kjo pakicë mund të jetë vendimtare. Gjatë viteve të fundit nën duetin Biden dhe Harris në SHBA kanë ardhur më shumë emigrantë të paligjshëm se kurrë më parë. Luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme po krijojnë gjithnjë e më shumë ndjenjën e pasigurisë dhe kaosit. Shumë votues besojnë se këtyre problemeve mund t’u dalë përballë një “burrë i fortë”. /Koha.net