IDE, 21 Tetor 2024, 10:49

Si po i minon Trump institucionet

Si po i minon Trump institucionet

Sinjalet shqetësuese në lidhje me gjendjen e demokracisë po shtohen përditë e më shumë në Shtetet e Bashkuara. Më 15 tetor, kandidati republikan, Donald Trump, refuzoi të pozicionohej në favor të një kalimi paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 5 nëntor. Gjithëashtu, ai i quajti si akte shembullore ato që ndodhën katër vite më parë. Ai nuk nguroi të përdorë të gjitha teoritë konspirative për të relativizuar sulmin e mbështetësve të tij që kishin për qëllim të ndalonin çertifikimin e fitores së demokratit Joe Biden, më 6 janar 2021.

Kjo deklaratë e fundit erdhi vetëm dy ditë pasi kandidati republikan pati sulmuar ashpër kundërshtarët e tij politikë, duke i quajtur “armiq të brendshëm”, kundër të cilëve duhet të dërgohet “garda kombëtare”, madje edhe “ushtria”.

Këto qëndrime të papërgjegjshme nuk kanë shkaktuar tronditjen kombëtare që do të kishin pasur disa vite më parë. Ato janë pjesë e një historie të gjatë akuzash të dëmshme për kontratën demokratike që mban bashkë, prej gati dy shekujsh e gjysmë, qytetarët amerikanë. Duke denoncuar që gjatë fushatës presidenciale të 2016-ës “manipulimin” e votimeve për të justifikuar një humbje të mundshme, dhe më pas duke kaluar më shumë se dy muaj në kundërshtimin qesharak dhe të kotë të rezultatit të zgjedhjeve të 2020-ës, ky patriot i rremë ka kontribuar më shumë në dobësimin e institucioneve të vendit të tij, sesa të gjitha ndërhyrjet e huaja të marra së bashku.

Përgjegjësia e ish-presidentit është e rëndë, por ai ka pasur një mbështetje të fuqishme. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, e modeluar nga Donald Trump gjatë mandatit të tij, ka bërë gjithçka që t’i shmangë atij dhënien e llogarisë për veprimet e kryera përpara 5 nëntorit.

Televizioni konservator Fox News u detyrua në vitin 2023 të paguajë gati 800 milionë dollarë (rreth 737 milionë euro) për të shmangur një gjyq për shpifje, të cilin do ta humbte, pasi mbrojti në mënyrë servilie teorinë e manipulimit të makinave të votimit, të përhapur nga Donald Trump. Njeriu më i pasur në Shtetet e Bashkuara, Elon Musk, sot po përdor pasurinë e tij dhe dezinformatat e përhapura nga rrjeti i tij i fuqishëm social, X, në shërbim të këtij projekti të neveritshëm.

Çfarë mund të thuhet për zyrtarët republikanë që ende sot refuzojnë të pranojnë publikisht humbjen e 2020-ës për të mos marrë mbi shpinë furinë e inatit të Trump? Po për atë që mund të bëhet zv/president i superfuqisë botërore, J. D. Vance, e që tani është zhytur në mënyrë të pa turpshme në gënjeshtrën e një fitoreje të vjedhur? Çfarë të mendosh më tej për ata zyrtarë që, deri disa javë më parë, po planifikonin një ndryshim të rregullave të lojës për të modifikuar shpërndarjen e votuesve të mëdhenj në Nebraska, në disfavor të  kandidates demokrate, Kamala Harris, që mund ta dëmtonte atë nëse rezultati do të jetë shumë i ngushtë?

Një klimë e tillë shpjegon se përse një në katër votues republikanë, besnikë të Donald Trump-it, sot mendon se përballë një humbjeje në mbrëmjen e 5 nëntorit, ai duhet ti shpallë rezultatet të pavlefshme dhe “të bëjë gjithçka që duhet” për të marrë postin e tij. Kështu rezulton nga një sondazh iPublic Religion Research Institute, publikuar më 16 tetor. Kjo shifër është tronditëse dhe tregon se në ç’pikë ka mbërritur  partia republikane që dikur prezantohej si ajo e ligjit dhe rendit. /Le Monde