TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Afërmendsh që arrestimi i ish Presidentit të Republikës Ilir Metaj do të tërhiqte, siç edhe tërhoqi e vazhdon të dominojë në fakt, gjithë vëmendjen e opinionit publik. Edhe pse një ngjarje e pritshme prej mënyrës se si ishte joshur e ushqyer opinioni prej kohësh, arrestimi i ish presidentit pati në vetvete edhe elementin e surprizës. I zuri të gjithë në befasi. Edhe atë vetë.
E m’u për këtë arsye ajo u shndërruar edhe në një “grackë” për të gjithë. Sepse edhe sot të gjithë po merremi pikërisht me të. Madje vetëm me të. Dhe edhe me të, po merremi me elementët periferikë. Më shumë se sa me thelbin e gjithë sa është akuza që rëndon mbi të dhe të tjerët, po merremi me faturat, pagesat, blerjet e udhëtimet nëpër botë.
Ndëshkimi ligjor i të konsideruarve më parë si të pandëshkueshëm, është një arritje e qenësishme e funksionimit të shtetit të së drejtës. Rasti i ish presidentëve dhe ish kryeministrave Sali Berisha dhe Ilir Metaj, është dëshmi par excellence (nëse do të duhej të përdornim një term ndërkombëtar) në favor të idesë së mësipërme, apo thënë shqip, janë rasti më i mirë prej gjithë rasteve të tjerë, për të krijuar bindjen në mbylljen e kapitullit të pandëshkueshmërisë. Tani nuk ka më të paprekshëm dhe këmbanat e alarmit bien për të gjithë. Më shumë se për ishët, për këta që janë.
Por le të kthehem tek “gracka”. Përse arrestimi i ish presidentit është edhe grackë përveçse ngjarje e rëndësishme për të kuptuar rëndësinë e zbatimit të ligjit?
Mbase për një rastësi (unë dua ta besoj për të tillë), arrestimi demonstrativ, në mes të ditës e në mes të rrugës i ish Presidentit të Republikës u krye disa orë pas arrestimit të një deputeti të Partisë Socialiste. (Ky i dyti të dielën në mbrëmje vonë, dhe ai tjetri të nesërmen, të hënën në mesditë!). Ish presidenti i akuzuar për korrupsion, ndërsa ish deputeti i akuzuar për lidhje e bashkëpunim me grupe kriminale dhe për krim në zgjedhje.
Sipas një rendi logjik, natyrshëm që ngjarje më e madhe është arrestimi i ish presidentit. Pavarësisht motiveve të arrestimit të ish deputetit, lajmi është arrestimi i ish presidentit. Duke shfrytëzuar këtë “përparësi”, edhe opinionit iu shërbye pa rezervë gjithçka qe e mundur të mësohej nga dosja e ish presidentit.
Dhe pastaj, menjëherë u mbushën portalet e rrjetet sociale me shifra shpenzimesh, me adresa dyqanesh dhe vilash, me karta krediti dhe se kush i bënte pagesat, me mesazhet e komunikimit mes të akuzuarve dhe të tjerëve të lidhur me ta.
Nuk jam kundër kësaj praktike, edhe pse personalisht kam një qasje tjetër për mënyrën e administrimit të fakteve apo të dhënave të një dosjeje hetimore. Ajo që më bën përshtypje është jo rendja pas fakteve të dosjes së ish presidentit dhe të tjerëve të lidhur me të, por lënia jashtë vëmendjes e dosjes tjetër, e asaj të ish deputetit socialist që u arrestua disa orë para ish presidentit.
Për nga rëndësia e fakteve, por edhe për nga hierarkia e akuzave, dosja e ish duhej të ishte “hapur” e para. Sepse brenda asaj dosjeje fshihet problemi më i madh që ka ky vend dhe që është ndërveprimi, bashkëpunimi dhe varësia e krimit me politikën dhe anasjelltas.
Ish presidenti mund të ishte arrestuar ditë më parë ose edhe ditë më pas se të arrestohej ish deputeti i qeverisë, po pse u arrestua pikërisht disa orë pas ish deputetit?! E mandej, kush u “përkujdes” që dosja e ish deputetit të mbyllej e të zhvendosej vëmendja vetëm tek kjo tjetra? Nëse nuk ka patur ndonjë përkujdesje të veçantë, pra edhe të qëllimtë, përse nuk “ushqehet” opinioni edhe me të dhënat që ka dosja e ish deputetit siç u ushqye me të dhënat e dosjes së ish presidentit?
Sepse, ma do mendja jo vetëm për kolegët gazetarë, por edhe për opinionin, ka më shumë rëndësi lajmi se si ia doli ish deputeti të zinte vend në listën e deputetëve të qeverisë, nga lajmi se sa ka shpenzuar Monika Kryemadhi për fustane apo për operacionin e qafës së mitrës.
Mjafton vetëm të analizojmë faktin se tre ish deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit që sot nuk janë më deputetë ( dy janë në burg dhe një i tretë dorëzoi mandatin prej të afërmve të tij!) kanë marrë rreth 20 mijë vota në atë qark, për të kuptuar domethënien e akuzave që SPAK ka formuluar për ish deputetin e qeverisë. Ndaj le të publikohen e të bëhen të ditura edhe për publikun se me kë komunikonte ish deputeti, me kë komunikonin ata që komandonin ish deputetin dhe se si ia dolën ta vinin në krye të listës e të bëhej deputet e të tjera episode të kësaj natyre.
Ndaj, nëse qe “rastësi” arrestimi i ish presidenti pak orë pas arrestimit të ish deputetit të qeverisë dhe, nëse qe rastësi edhe publikimi i pamjeve të arrestimit të ish deputetit disa orë pas arrestimit të ish presidentit, nuk mund të jetë më rastësi endja, sidomos e opozitës, në vorbullën e “grackës” së arrestimit të ish presidentit.