TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Strategjia e turizmit të qeverisë socialiste po i jep gjithnjë e më prioritet turizmit elitar apo ekskluziv. Kryeministri Rama na siguron se Sazani dhe Zvëreneci nëpërmjet investimit të Kushner do bëhen xhevahire të mesdheut që do tërheqin miliarderët dhe zilinë botës dhe do e vendosin Shqipërinë në hartën e turizmit botëror duke i pasuruar shqiptarët. Është një narrativë që bazohet në një sërë supozimesh ose të dyshimta ose thjesht të pavërteta.
Idea se Sazani dhe Zvërneci do bëhen xhevahire të rivierës shqiptare, supozon se ato sot nuk janë të tilla, edhe pse të gjithë ata që i kanë vizituar janë mahnitur me bukurinë e tyre. Për më tepër, nuk kemi raste të pickimit, apo vdekjes, së turistëve nga gjarpërinjtë e zonës.
Po kaq e dyshimtë është idea se Kushner me kompani do ta fusë Shqipërinë në hartën e turizmit botëror tashmë që Shqipëria ka vite në këtë hartë, sikurse na thotë vetë qeveria. Kushneri nuk erdhi për ta futur Shqipërinë në hartën e turizmit, por sepse Shqipëria është bërë pjesë e kësaj harte prej vitesh.
Dhe këtu padyshim që një meritë të madhe ka edhe qeveria socialiste dhe sidomos kryeministri Rama. Ndaj është habi kur ai na thotë se po ia dhuron Sazanin dhe Zvërnecin dhëndrit të Trumpit për ta futur Shqipërinë në hartën e turizmit botëror. A thua se jemi ende një cep mistik dhe i panjohur i Evropës.
Ndërkohë supozimi se Kushner me kompani da ta kthejnë Sazanin dhe Zvërnecin në xhevahir të shqiptarëve është një gënjeshtër e thatë sepse aty do ndërtohen rezorte super elitare dhe luksoze që shumica e dërrmuese e shqiptarëve do ti shohin me dylbi. Nëse Enveri dje i mbajti shqiptarët larg Sazanit dhe Zvërnecit me ushtarë, Rama sot do i largojë me cmime dhe me privatizim të hapësirës publike.
Xhevahiret e Sazanit dhe Zvërnecit do jenë për Kushnerin, shokët e tij miliarderë dhe për një rreth të ngushtë pasanikësh shqiptar që do mund të shijojnë plazhet më të mira të Sazanit dhe Zvërnecit të pashqetësuar nga qytetarët e thjeshtë, apo “ordiner”, sic njihen rëndom në fjalorin socialist.
Nuk bëhet fjalë thjesht për përjashtim ekonomik me cmime të papërballueshme për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Bëht fjalë për përjashtim fizik, sepse një pjesë e mirë e territorit të Sazanit dhe Zvërnecit do kthehen në vila private me pishina, hapësira dhe kopshte të bollëshme përreth. Pa folur për privatizimin e plazheve në funksion të hoteleve luksoze.
Ndaj sa herë kryeministri Rama thotë se do ta bëj Sazanin xhevahir të mesdheut, duhet të saktësojë se ky do jetë xhevahir i Kushnerit dhe i miliarderëve të tjerë dhe jo i shqiptarëve. Mbi 99% e shqiptarëve nuk do mund të blejnë vilat luksoze prej 300, 400 apo 800 m2, me pishina dhe pamje nga deti që do të ndërojë Kushner në Sazan. Vila që do ndërtohen mbi truallin publik të Sazanit.
E njëjta llogjikë vlen edhe për Zvërnecin si dhe për investimin e Alabar në Durrës. Që sot metri katror në këtë projekt ka shkuar në reth 5 mijë euro për apartamente që shiten në ajër. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një projekt tejet luksoz dhe mbi të gjitha ekskluziv, ku hapësira publike, privatizohet, shfrytëzohet dhe përfitohet nga një pakicë e vogël dhe super e pasur, duke përjashtuar si fizikisht edhe ekonomikisht shumicën dërrmuese të qytetarëve.
Ekskluziviteti është koncepti kyc i turizmit elitar dhe super-lluksoz që po promovon qeveria socialiste nëpërmjet të ashtëquajturve investitorë strategjik. Por ndonëse qeveria socialiste e përdor fjalën “ekskluzivitet” me krenari si dicka pozitive, në fakt rrënja e saj latine do të thotë përjashtim. Fjala “ekskluzivitet” vjen nga latinishtja “excludere” që do të thotë përjashtoj, lë jashtë, ndaloj.
Ndaj e thënë “shqip”, si tek ish-emisioni i bukur i Rudina Xhungës, turizmi elitar, super-lluksoz apo ekskluziv është një turizëm përjashtues. Nga një anë ai përjashton shumicën e sipërmarrjes së vogël dhe të mesme lokale nga pronësia dhe shfrytëzimi direkt i aseteve më të bukura natyrore të bregdetit shqiptar. Së dyti, ai i ndalon shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptar të gëzojnë mrekulli natyrore si Zvërneci apo Sazani, duke i rezervuar ato për një elitë super të pasur.
Në këtë pikë do duhet të përballemi me dy argumente që artikulohen rëndom nga propaganda rilindase, herë në mënyrë eksplicite dhe herë implicite. Së pari, idea që “kështu është në të gjithë botën”, apo “ky është kapitalizmi”, ku miliarderët bëhen pronarë ishujsh. Së dyti, është idea që investimi i Kushner është opcioni më i mirë për zhvillimin e Sazanit dhe Zvërnecit. Le të fillojmë me argumentin e parë.
Është e vërtetë që në një botë ku miliarderët po transformohen në trilionerë ka gjithnjë e më tepër shembuj miliarderësh që blejnë ishuj. Ama gjithnjë bëhet fjalë për ishuj të vegjël apo periferik në vende që kanë mijëra ishuj, sic është Greqia. Pra bëhet fjalë për asete që nuk janë as strategjike dhe as pjesë qendrore e pasurive natyrore të një vendi.
Ky nuk është rasti as i Sazanit dhe aq më pak i Zvërnecit. Nuk bëhet fjalë për hapësira të braktisura, të harruara apo periferike por për ishullin më të madh të Shqipërisë (Sazani) dhe për një nga bukuritë natyrore më përrallore të vendit tonë, sic është Zvërneci. Këto janë xhevahire të rivierës, kulturës dhe historisë shqiptare dhe pjesë e rëndësishme e turizmit bregdetar që vizitohen nga qindra dhe mijëra turist vendas dhe të huaj.
Shqipëria ka plot lugina, fshatëra dhe mrekulli natyrore të braktisura nga njerëzit, zona të boshatisura që mund ti jepeshin kapitalit ndërkombëtar për ti rivitalizuar pasi aty nuk ka interés as nga turistët dhe as nga sipërmarrësit lokal. Por nuk është ky rasti as i Sazanit, as i Zvërnecit dhe as i portit të Durrësit.
Në të gjitha këto asete interesi qoftë i turistëve, qoftë i sipërmarrësve lokal dhe ndërkombëtar është i lartë. Ndaj është sa i cuditëshm aq edhe i dyshimtë dhurimi i këtyre aseteve kaq të vyera një investuesi të vetëm, pa garë dhe pa asnjë diskutim publik, apo pa një studim mbi alternativat zhvillimore që mund të ndërtoheshin në to.
Këtu vijmë tek argumenti i dytë i qeverisë socialiste se projekti i Kushner ishte alternativa më e mirë për Sazanin dhe Shqipërinë. Sipas këtij argumenti qeveria jonë nuk ka para për të investuar në infrastrukturën e Sazani, sepse sapo harxhoi 200 milion euro tek tuneli LLogarasë, ndërsa sipërmarrja lokale nuk ka para, dhe me sa duket as interes, për të investuar në hapësira djerrë si Sazani dhe Zvërneci, ndoshta nga frika e gjarpërinjëve.
Vetëm Kushneri, sipas kryeministrit, ka miliardat e nevojëshme për të investuar në Sazan e Zvërnec dhe për ti transformuar këto hapësira nga një natyrë e shëmtuar, djerrë dhe pa jetë në një natyrë plot vila dhe restorante luksoze me mermer dhe xham, me pishina, me mole dhe porte jahtesh, me skafe dhe me motorra uji, me plazhe super-lluksoze të privatizuara nga hotelet me 10 yje ku shezlongu vlen 100 euro.
E megjithatë argumenti se investimi i Kushner ishte alternativa më e mirë calon në dy momente. Së pari, nuk dihet kush ishin alternativat e tjera. A është bërë ndonjë studim ekonomik, ambiental apo social se cila do ishte alternative më e mirë për zhvillimin e Sazanit apo të Zvërnecit? A është bërë ndonjë përpjekje për të përfshirë sipërmarrjen dhe hotelerinë e zonës në zhvillimin e Sazanit dhe të Zvërnecit? A janë konsultuar këta sipërmarrës dhe kanë refuzuar? A është bërë ndonjë sondazh apo debat publik mbi Sazanin apo Zvërnecin për të kuptuar mendimin e qyetarëve?
Me sa di unë studime apo përpjekje të tilla as nuk janë bërë, as nuk janë publikuar dhe aq më pak janë debatuar. Ajo që mund të thuhet me siguri është se si në rastin e investimit në Portin e Durrësit, si në rastin e Sazanit edhe në atë të Zvërnecit ka munguar një debat publik në lidhje me alternativën më të mirë zhvillimore për këto asete kombëtare. Dhënia e Sazanit apo e investimit në portin e Durrësit i janë komunikuar publikut shqiptar si fermane që thjesht duhen zbatuar pa u diskutuar paraprakisht.
Ndaj argumenti se projekti i Kushner është alterantiva më mirë për Sazanin bie për faktin e thjeshtë se ai është paraqitur si e vetmja alternativë, pa u krahasuar seriozisht me alternativa të tjera zhvillimore. E thënë ndryshe, nuk kemi parë një analizë kosto – përfitim mes alternativave të ndryshme për të konkluduar se oferta e Kushner ishte alternativa më e mirë.
A mund të zhvillohej në Sazan një turizëm ekologjik, cilësor por jo ultra-luksoz?
A mund të organizohej një konsorcium publik – privat me pjesmarrjen e dhjetëra apo qindrave sipërmarrësve lokal dhe të shtetit për të investuar në këto perla të bregdetit shqiptar? A duhet që Zvërneci dhe Sazani të jenë hapësira përjashtuese për shumicën dërrmuese të turistëve vendas dhe të huaj?
Të gjitha pyetjet e mësipërme mbesin pa përgjigje sepse qeveria socialiste ngulmon se e vetmja alternativë reale zhvillimi për Zvërnecin dhe Sazanin është mega-investimi i Kushner, sepse ishulli është djerrë, nuk ka ujë dhe do shumë investim për tu bërë xhevair. Por edhe ky argument calon shumë si nga pikpamja ekonomike edhe nga pikpamja ambientale dhe sociale. Pa folur për besueshmërinë e investimit prej 1.4 miliard dollarë që propogandon qeveria socialiste dhe e trumpeton media shqiptare.
Le të lëmë mënjanë pyetjen nëse Kushner vërtet do investojë miliarda dollarw. Mjafton të kujtojmë këtu se edhe Alabari do investonte miliarda dollar tek marina në Durrës, ndërkohë që ky projekt tashmë është reduktuar tek shitja e apartementeve në ajër për ti ndërtuar ato më pas në tokë. Pra është një projekt i thjeshtë ndërtimi si ato që prej dekadash janë ndërmarrë në vendin tonë, edhe pse na u shit si investim i shekullit.
Nuk është cudi që nesër projekti i Kushner të fillojë të shesë vilat e Sazanit në ajër, sic po bën Alabari sot, dhe ato milirda që media jonë i raporton si autoporlant i qeverisë, pa bërë asnjë verifikim, të mbeten në ajër. Por le ta lemë mënjanë këtë argument, dhe le të pranojmë se Sazani dhe Zvërneci janë aq rëndë sa duhen miliardat e Kushner për ti rekuperuar.
Problemi është se nëse Sazani dhe Zvërneci janë djerrë, shkëmbe pa ujë, pa një burim fiks energjie, pa infrastrukturë, atëherë cfarë kuptimi ka të ndërtosh aty hotele dhe mega-apartamente super-lluksoze, me pishina të mëdha me ngrohje, me shumë banjo dhe xhakuzi që harxhojnë sasi të frikëshme energjie dhe uji?
Në këto kushte a nuk do ishte më llogjike nga pikpamja ekonomike, ambientale dhe sociale zhvillimi i një turizmi ekologjik, më i lirë dhe që impakton sa më pak bukuritë natyrore të ishullit dhe nuk shpërdoron burimet ujore dhe energjitike? A nuk mund tw zhvillohej njw turizwm i tillw nw bashkwpunim me sipwrmarrwsit turistik tw vegjwl dhe tw meswm tw zonws, nwpwrmjet modelit publik-privat qw kryeministri e ka zbatuar me kaq shumw qejf me sipwrmarrwsit e mwdhenj?
Kjo do ishte zgjidhja më e mirë jo vetëm nga pikpamja klimatike dhe ambientale, por edhe nga pikpamja sociale dhe ekonomike. Nga pikpamja sociale ishulli dhe plazhet e tij do ishin të hapur për të gjithë shqiptarët dhe turistët, dhe jo vetëm për një super-elitë e pasur. Nga pikpamja ekonomike hoteleria në ishull do ishte në pronësinë lokale duke prodhuar përftim më direkt për sipërmarrjen, tregun dhe turizmin vendas.
E thënë ndryshe, Sazani do i ngjante më shumë Thethit sesa Hauait apo Maldiveve. Për ekonominë shqiptare është më i vlefshëm një turizëm cilësor me pronësi lokale që fitimin e xhiron po në vend dhe që është i lidhur ngushtë me zinxhirët e prodhimit dhe të ekonomisë vendase se sa një turizëm lluksi në pronësi të korporatave internacionale që fitimin e cojnë jashtë dhe janë më pak të lidhur me zinxhirin e prodhimit dhe tregun vendas.
Pa folur për faktin se Thethi është 100 herë më autentik dhe mbresëlënës se Maldivet apo rezortet më të mrekullueshme në detin më të bukur të botës, Deti Karibe, ose deti i 7 ngjyrave sic i thonë vendasit. Unë kam qenë edhe në Thethin tonë ku mungon luksi i tepërt, por jo cilësia dhe komoditeti, edhe në resorte super-luksoze të Karibeve, pasi jetoj prej vitesh në Kolumbi.
Asnjë sasi lluksi nuk mund të kompensojë mungesën e autenticitetit të rezorteve super luksoze, që sikurse qendrat tregtare janë gjithnjë e më identike dhe më të izoluara nga kultura, historia dhe vendi ku ndërtohen. Ndaj reduktimi i Sazanit dhe Zvërnecit në resorte elitare dhe ekskluzive rrezikon ta mbysw me lluks autenticitetin historik, natyror dhe kulturor tw Zvwrnecit dhe Sazanit. Dy mrekullitë tona autentike natyrore dhe historike mund të përfundojnë në një kopje më shumë të resorteve lluksoze maldiviane dhe hauaiane që kapitali i madh ndërkombëtar i prodhon në seri.
Ndonëse në internet xhirojnë foto pafund të Hauait dhe Maldiveve si parajsa tokësore e vërteta është se ato janë krejtësisht të izoluara nga realiteti social, kulturor dhe historik i këtyre vendeve. Shumica e fitimit të turizmit nga rezortet lluksoze del jashtë vendit. Është një fenomen që në anglisht njihet me emrin “turism leakeage”, apo rrjedhja nga turizmi (shiko https://www.muchbetteradventures.com/magazine/community-tourism-adventure-maldives-leakage/). Si në Hauai edhe në Maldive ngjitur me super lluksin e resorteve në pronësi të korporatve ndërkombëtare multimilionare shikon edhe varfërinë ekstreme të banorëve vendas.
Ndaj duhet të shikojmë me dyshim narrativën socialiste se Kushneri apo Alabari janë dy heronjtë e rinj të turizmit shqiptar që do ta cojnë atë në nivele të papara më parë. Heronjtë e vërtetë të turizmit tonë janë sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm, që kanë ndërtuar hotele dhe resorte familjare cilësore dhe të ngrohta në Theth, Durrës, Sarandë, Shkodër, Berat, Gjirokastër apo Vlorë.
Janë këto investime që kanë impresionuar turistët me autenticitetin, mikpëpritjen dhe bujarinë e kulturës shqiptare. Janë investime që i mirëpresin dhe i ofrojnë komoditet turistëve duke i integruar, dhe jo izoluar, në shoqërinë, kulturën dhe natyrën e mrekullueshme shqiptare. Ato jo vetëm ofrojnë eksperienca autentike dhe mbreslënëse por i transformojnë shqiptarët në sipërmarrës, shfrytëzues direkt, apo “pronarë”, të mrekullive natyore të vendit, dhe jo thjesht në të punësuar tek këto mrekulli.
Prioritet i një qeverie socialiste duhet të ishte pikërisht ky turizëm përfshirës, i qëndrueshëm dhe ambientalist. Një turizëm që nuk i redukton qytetarët dhe sipërmarrësit lokal në shërbëtor apo të punësuar të kapitalit të huaj, që nuk i përjashton qytetarët shqiptar nga perlat e natyrës së tyre, që nuk i privatizon plazhet dhe mrekullitë natyrore të vendit, për ta kthyer Sazanin dhe Zvërnecin në një kopje të shëmtuar të Gjirit të Lalëzit për miliarderët ndërkombëtar dhe lokal.
Janë miliarderët ata që kanë nevojë për një turizëm përjashtues ku mund të shijojnë të qetë hapësira të mrekullueshme natyrore pa praninë e “qytetarëve ordiner”. Ndërkohë që ekonomia dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për një turizëm përfshirës që bazohet tek operatorët lokal, të lidhur ngushtë me tregun dhe zinxhirin lokal të prodhimit. Një turizëm i hapur jo vetëm ndaj qytetarëve shqiptar por edhe ndaj turistëve ndërkombëtar të shtresës së mesme që janë motori i vërtetë i zhvillimit të ekonomive në botë.
Në këtë pikë duhet ti kërkoj ndjesë lexusit apo lexueses që ka pasur durimin të më shoqërojë deri këtu. Jo thjesht për gjatësinë dhe përsiatjen e argumenteve të mia, por edhe sepse ka shumë mundësi që në shtjellimin tim të ketë pasaktësi apo edhe gabime faktike në lidhje me investimet që parashikohen në Sazan dhe Zvërnec.
Ama gabime të tilla janë produkt jo vetëm i injorancës dhe i vullnetarizmit tim gazetaresk, që më kufizon kohën dhe mundësinë për tu informuar, por edhe e mungesës së informacionit që jepet nga qeveria Rama për investimet strategjike në Sazan, Zvërnec apo në Portin e Durrësit.
Shumica e informacionit që buron nga qeveria mbi këto projekte përqendrohet tek imazhe përrallore të prodhuara me fotoshop më shumë se sa tek analizat ekonomike, ambienatle apo sociale që investime të tilla do kenë në Vlorë, Durrës, apo Sarandë. Të paktën unë nuk kam parë asnjë studim mbi impaktin social që do ketë për Vlorën tërheqja e miliarderëve të botës në Sazan dhe Zvërnec.
Cfarë do të ndodhë me cmimin e apartamenteve në këto zona? Cili do jetë presioni inflacionar mbi ekonominë lokale? Cfarë lloj punësimi do krijohet dhe a do jetë ky një punësim i qëndrueshëm dhe cilësor? Sa përfiton shteti shqiptar dhe bashkia e Vlorës nga investimet në fjalë? Janë të gjitha pyetje që mbetet pa përgjigje ose me përgjigje të pjesëshme dhe kontradiktore.
Informacionet që kam konsultuar janë shpesh kontradiktore, diku citohet një vendim i qeverisë që i jep vetëm 45 hektarë projektit të Kushner në Sazan për turizëm (shiko https://gazetashqiptare.al/2025/01/15/projekti-prej-1-4-miliarde-eurosh-dhendrit-te-donald-trump-ne-ishullin-e-sazanit-qeveria-jep-statusin-e-investitorit-strategjik-kompanise-qe-te-ndertoje-resortin-luksoz/ ), ndërkohë arkitekti i këtij projekti del në media shqiptare dhe prezanton një projekt që përfshin pothuajse të gjithë ishullin e Sazanit. (shiko: https://www.youtube.com/watch?v=WLBlJCSvehk )
E thënë ndryshe në mediat dhe hapësirën tonë publike ka shumë spekullim, paqartësi dhe dhe deformime në lidhje me investimin në Sazan dhe në Zvërnec. Kryeministrit Rama ka të drejtë nëse deklaron se “kazani mediatik shqiptar po gatuan corbën e rradhës”. Ama një nga ingredientët kryesore të kësaj corbe është errësira që mbështjell vendimet e zotit Rama për fatin e Durrësit, Sazanit dhe Zvërnecit. /Lapsi.al