TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ngjarje që të lë pa fjalë, e ka cilësuar kreu i Policisë së Shtetit Skënder Hita, vrasjen e efektivit të policisë në krye të detyrës gjatë një operacioni në Maliq.
Nga spitali i Traumës ku vizitoi efektivin e plagosur rëndë, Edison Adri, Hita tha se sot Policia humbi shërbëtorin e saj.
“Policia e shtetit humbi shërbëtorin e saj. Edhe një punonjës policie është plagosur rëndë ,po merr ndihmë mjekësore. Edhe autori gjatë shkëmbimit të zjarrti është plagosur dhe ndodhet në spitalin e Korçës. Është një ngjarje që të lë pa fjalë nuk do të doja të isha pranë jush sot”, tha ai.
Ai shprehu dhimbjen e tij për këtë humbje, teksa shpjegoi se edhe autori i krimit mbeti i plagosur Violand Braçellari gjatë aksionit, ndodhet në spitalin e Korçës, i arrestuar dhe pritet të transportohet gjithashtu drejt Tiranës për mjekim.
“Humbëm një koleg të mrekullueshëm, një baba, një familjar të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj punonjësin e saj në shërbim të qytetarëve. Edhe një punonjës policie është i plagosur rëndë dhe po merr ndihmën mjekësore. Edhe personi në kërkim që ishte bërë rrethimi i tij për neutralizimin dhe kapjen e tij është plagosur dhe ndodhet në spitalin e Korçës”, tha Hita.
Në fund ai shpjegoi se ishte shumë i prekur nga ajo që kishte ndodhur dhe pa fjalë, një ngjarje për të cilën shtoi se nuk do donte të ishte para mediave.
“Është vërtetë nga ato ngjarje e cila të lë pa fjalë dhe që ku unë s’do doja sot të isha para jush”, tha ai.
Hita u pyet nga gazetarët nëse ishin marrë masat e duhura operacionale duke vlerësuar rrezikshmërinë e autorit të krimit që ishte i shumëkërkuar dhe nëse po bëheshin hetime për planin operacional.
Ai u përgjigj se: “Tashmë hetimet kanë filluar si nga Prokuroria e Korçës, ashtu edhe Standardet Profesionale që janë nisur drejt Korçës. Edhe unë nga këtu do nisem drejt Korçës për të ndjekur nga afër çfarë ka ndodhur dhe dinamikën e ngjarjes”.
Ndërkohë doktoresha u shpreh se një përgjigje më të saktë për gjendjen e policit do të japë në vijim, pasi lëndimet në qafë dhe kokë janë jetëkërcënuese.
“Është pritur në spitalin e Korçës. Është bërë punë shumë e mirë nga mjekët në Korçë. U fut në bllokun operator. Do t’u themi më shumë për ecurinë në vijim.
Po bëhet maksimumi. Ka lëndime në pjesën e qafës dhe të kokës. Një traumë e këtyre përmasave është jetëkërcënuese”, tha ajo.
Ndërsa shefi i urgjencës, Skënder Brataj tha se në këto momente gjendja e policit është stabël, ndërsa autori është nisur me ambulancë drejt Spitalit të Traumës.