TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur pasditen e së mërkurës në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku dy të rinj kosovarë, Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku humbën jetën pasi u mbytën në det dhe 3 të tjerë, Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi, arritën të shpëtonin dhe po marrin mjekim në Spitalin e Lezhës.
Sipas burimeve, 5 personat ishin pjesë e stafit të organizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike “Unum”, i cili starton këtë të enjte në Shëngjin.
Në rrethana që po hetohen, ata kanë hyrë në det pa marrë në konsideratë dallgëzimin e fuqishëm të shkaktuar nga era e fortë, duke u përballur me vështirësi serioze dhe rrezik mbytjeje. Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë janë njoftuar për situatën emergjente dhe menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ekipet e emergjencës.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të disa qytetarëve me jet ski, në bashkëpunim me policinë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e pesë të rinjve, të cilët u transportuan me urgjencë drejt spitalit, por dy prej tyre nuk kanë mundur të mbijetojnë.
Burime nga policia bëjnë me dije se hetimet po fokusohen jo vetëm në rrethanat e ngjarjes, por edhe në masat e sigurisë të zbatuara nga organizatorët dhe menaxherët përgjegjës për stafin e punës, si dhe nëse janë respektuar procedurat për sigurinë e punonjësve dhe janë dhënë udhëzimet e nevojshme lidhur me kushtet e rrezikshme të detit.
Në zonën e plazhit e cila është marrë me qira për zhvillimin e festivalit mungonin kullat e vrojtimit dhe masat e tjera të sigurisë të përcaktuara me ligj, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Ndërkohë, trupat e pajetë të dy të rinjve Leonit Aliu 22 vjeç dhe Jetmir Binaku 23 vjeç janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për kryerjen e ekspertizës, e cila do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së tyre dhe më pas do të tërhiqen nga familjarët për kryerjen e ceremonive mortore.