TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Akuzat e SPAK për pjesëmarrje në grup kriminal dhe korrupsion prej kriminelëve ndaj dy gazetarëve të kronikës së zezë, Artan Hoxha dhe Elton Qyno, janë një gur kilometrik në rrugën plot zikzake të medias në këto 34 vite që kur nisi shtypi dhe fjala e lirë.
Akuzat janë shumë të rënda dhe rëndojnë jo vetëm mbi dy gazetarët, por edhe në imazhin e medias dhe punonjësit e saj, e cila, edhe pa këto, është akuzuar dhe përçmuar si e blerë, në shërbim, e kapur, shpifëse, kazan dhe pocaqi, nga qytetari më i rëndomtë, deri te kryeministri i vendit.
Më tepër se akuza që do të nxjerrë sot SPAK, të vërtetën do ta nxjerrë koha se sa dhe si janë implikuar gazetarët Hoxha dhe Qyno nga një grup ku ish-gjyqtarja porosiste vrasjen e një moderatori emisioni në televizionin kombëtar dhe ku kapo i grupit e nis karrierën kriminale që 20 vjeç dhe nuk u çua asnjëherë përpara drejtësisë.
Gazetarët, veçanërisht ata të kronikës së zezë, pjesën më elitare të punës së tyre, e kanë lidhur me shtënien në dorë të dosjeve hetimore. Ato janë thesari për reporterët dhe mediat që kërkojnë audiencë dhe klikime.
Gazetari Elton Qyno ishte një reporter periferik në vitin 2013, kur Carlo Bolino, botues i “Shqiptarja.com” dhe Report Tv, më ngarkoi ta merrja nga një gazetë pa peshë te media e re që kishte hapur te një bodrum afër Juvenilja Castelo. Edhe si kryeredaktor i gazetës isha i interesuar ta kishim në redaksi Qynon që kishte hyrë në radarët e Bolinos, të lidhur përjetë me kronikën e zezë. Eltoni pranoi dhe solli që në fillim vandakët e dosjeve të krimeve që në ato kohë gëlonin edhe pse ishte viti i fundit i mandatit të dytë të Berishës që krenohej se kishte shkatërruar mbi 220 banda nga më të rrezikshmet në vend.
Por Carlo u mërzit shumë shpejt me Qynon, sepse ai, fatkeqësisht, shkruante shumë keq shqip, aq sa edhe ai si italian vinte i xhindosur dhe e korrektonte çdo pasdite. Pas pak kohësh e shkarkuam Qynon. Por mbetëm pa vandakët e dosjeve dhe lajmet që bënin lexime dhe klikime. Bisedova sërish me Qynon, pas pendesës së Carlos, dhe u pajtuam që do të bëjmë sytë katër te shkrimet e tij ekskluzive, mjafton që të vinin fashikujt zyrtarë me ngjarje, krime, gjeneralitete, të dhëna personale, foto shumë grafike, gjithçka që në fakt, sipas Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave personale, ligërisht është e ndaluar.
Karriera e Qynos kështu vijoi nëpër vite dhe ai hodhi në publik vandakët e dosjeve që merrte nga prokurorë dhe avokatë të çështjeve, ashtu me atë shqipen që ende nuk e ka mësuar tamam.
Artan Hoxha është një histori më vete. Gazetar i kronikës prej gati 3 dekadash, ai ka sjellë me guxim dhe ka publikuar, duke privuar veten nga jeta normale, ngjarje që kanë tronditur vendin.
Në mbrëmjen e 21 janarit 2011, kur shumica prej nesh bënim shyqyr që nuk e rrahëm dhe masakruam si ish-kryeredaktori i gazetës “Shekulli”, Ened Janina, nga specialët që lëshoi Hysni Burgaj me urdhër të Berishës dhe Bashës në bulevardin e përgjakur dhe hollin e njërës prej Kullave binjake, Artan Hoxha shkoi në Shkozë dhe publikoi imazhet e vrasjeve të kapura nga kameramani i News 24, për të treguar se ajo ditë e zezë ishte vrasje shtetërore.
Një vit më parë, dhe tani së fundmi Hoxha solli edhe audiot ku urdhëroheshin gardistët për të qëlluar në mish protestuesit që ishin tërhequr nga sulmi prej kryeministrisë dhe falë tij dosja e vrasjes së Aleks Nikës, u nxorr nga sirtarët e Prokurorisë së Tiranës ku flinte prej vitesh për të t’i dhënë një shans drejtësisë në SPAK.
Po aq kurajoze është edhe sjellja nga Hoxha e pamjeve të Shqipërisë së kanabizuar, veçanërisht në vitin 2016 e pas, duke treguar atë që nuk do të donte kurrë ta publikonte qeverisja socialiste, që u zotua se nuk do të kishte më Lazaratë si në kohën e Berishës dhe e lazaratizoi gjithë vendin, duke e kthyer drogën në ekonominë më të madhe dhe më fitimprurëse, që ka kriminalizuar çdo qelizë të vendit dhe çdo institucion.
Si gazetar Artan Hoxha e ka patur forcën te pamjet filmike dhe emisioni “Xhungël” solli shumë të tilla. Prej vitesh e kujtoj me shaka qortuese këtë pasion të tij, sepse prej nëntorit 2008 nuk më jep pamjet filmike të përballjes sime me rojet e ish-presidentit Iranian Ahmadinexhad, në njërën nga hyrjet e xhamisë “Grand Mosalla” në Teheran ku mbahej panairi ndërkombëtar i medias dhe unë dhe Hoxha përfaqësonim Shqipërinë. Dhe ndërsa unë debatoja me rojet që më morën kamerën dhe fshinë filmimet e turmës që thyente derën e objektit të kultit për të parë udhëheqësin shtatvogël, Artan Hoxha, tregonte më vonë, se ishte fshehur pas një stende pas kurrizit tim, dhe po filmonte sherrin e një gazetari shqiptar me ca iranianë.
Kjo është ana profesionale e këtyre dy gazetarëve të akuzuar për lidhje me një bandë kriminale. Aspektin tjetër atë të implikimit, animit, përdorjes së informacioneve të vandakëve që nxjerrin prokurorët dhe avokatët (po këta kush i fajëson?) duhet ta tregojë me prova SPAK dhe pa paragjykime dhe prapavijë politike.
Dhe meqë jemi te politika dhe ne gazetarët që jemi marrë më shumë me lajmet e partive dhe qeverive se të bandave të tjera të deklaruara, a nuk kemi marrë udhëzime me gojë dhe më shkrim për të bërë këtë apo atë pyetje për rivalin brenda partisë, apo skenës politike, nuk kemi përdorur median për të publikuar shkrime kundrejt x politikani të porositur nga rivali i trembur, apo partia filan ndaj partisë së fistekut?
Se edhe këto banda janë dhe pjesëtarët e tyre banditë janë, madje më keq se këta të krimit ordiner dhe të organizuar, sepse kanë me vete ligjin dhe vendimarrjen për fatet e vendit dhe të njerëzve, edhe atë për të shpallur gazetarët të lidhur me banditë.