TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prej shumë vitesh “parathënia” e Panairit të Librit shkruhej që në prill dhe zakonisht ishte mbushur me akuza të ndërsjella mes botuesve për zhvatje nga ana e organizatorit të panairit, kthimin e tij në një treg ku vetëm shiten libra dhe nuk sillet asgjë e re, madje nuk vjen as edhe ndonjë shkrimtar i përkthyer në shqip. Debati ishte çmimi që Petrit Ymeri, Kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë si dhe organizatori i panairit u ka vënë shtëpive botuese për metër katror. Kur në 2011 çmimi u rrit me 40 për qind, edhe pse, sipas botuesve, Pallati i Kongreseve nuk e ndryshoi çmimin, ata u përballën me Ymerin, por pa sukses. Çmimi mbeti i lartë për ta, rreth 70 dollarë për metër katror, plus pagesën për stendën.
Më pas kundërshtarët e Ymerit u ndanë më vete dhe bënë një panair në pranverë, por që shumë shpejt u dështoi dhe u kthyen me bisht ndër shalë te metrat katrorë që kushtojnë sa apartamentet e ish-Bllokut dhe u bënë pjesë pazareve të panairit sipas motos “Kap ç'a t'kapësh”: Petrit Ymeri mbledh paratë e 1500 metrave katrorë, botuesit çojnë librat në stenda me ulje çmimi, ftojnë edhe shkrimtarët që të shesin sa më shumë duke dhënë edhe autografë, kështu nuk punësojnë as shumë studentë që s’ia kanë haberin librit, lexuesit blejnë më shumicë libra me çmim të reduktuar, sajojnë edhe një juri pluraliste që ndan çmimet e paracaktuara, të ashtuquajturit gazetarë të kulturës bëjnë PR-in e botuesve dhe të gjithë ndahen të lumtur dhe të kënaqur.
Edicioni i 27-të që mbyllet sot nuk pati “parathënie”, por “pasthënie” dhe ajo është një grusht në fytyrat e shkrimtarëve për fëmijë si dhe lexuesve të vegjël, vizitorët më të shumtë të panairit për përvitshëm.
Dje, juria e Panairit e përbërë nga Anisa Ymeri, gazetare kulture dhe drejtoreshë e sapoemëruar në bashkinë së Tiranës të drejtuar nga një ndër njerëzit më të fuqishëm të PS-së, Erion Veliaj; Ben Andoni, edhe ky gazetar kulture që prej vitesh bën edhe analistin gjeopolitik; Ilir Baçi, përkthyes; Ledia Dushi, edhe kjo përkthyese dhe Luli Sula, pedagoge në Fakutetin Histori-Filologji dhe drejtuese e Departamentit të Arsimit në PD-së e Berishës, vendosën njëzëri që të eliminojnë çmimin e Panairit për Letërsinë për fëmijë.
Në vend të çmimit të librit për fëmijë u dhanë dy çmime për studimet, njërin prej të cilëve e mori ish-ministri socialist Anastas Angjeli dhe dy çmime për përkthime.
Përgjigjet e antarëve të jurisë pas eliminimit të çmimit të letërsisë për fëmijë ishin një alibi e dobët: përkthyesi Ilir Baçi paska thënë se po e heqim meqë “nuk ka mjaftueshëm prurje cilësore!” dhe këta i qenkan bindur pa një pa dy.
Fakti është që në panair prej vitesh konkurojnë krah për krah brezi i vjetër i shkrimtarëve për fëmijë dhe ai i të rinjve: nga Adelina Mamaqi apo Xhahid Bushati deri te Rovena Rrozhani dhe shkrimtarë të tjerë.
Ironia e fatit është që libri “Hana, vajza që kapi diellin”, me autore Rovena Rrozhanin, ishte pjesë e antologjisë së UN Women mes 28 shkrimtarëve të përzgjedhur nga Evropa dhe Azia Qendrore dhe e botuar në shqip ishte fituese e Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë”, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në qershor 2024, por kjo nuk paska patur lartësinë e duhur të vlerësimit nga juria si një prurje cilësore!
Motoja e këtij viti e panairit ishte “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”. Botuesit dhe juria e emëruar prej tyre e zhbënë dhe si në politikë, si në këto tre dekada dhe deri kur të vdesin, fituesit do të jenë të njëjtët, dhe ata do të vendosin kush duhet të jetojë e kush duhet të vdesë, thënë kjo jo vetëm në mënyrë letrare.
P.S. Foton ilustruese të shkrimit e shkrepa dy ditë më parë në Panairin e Librit. Zonja ishte e gëzuar: Këtë libër e kam blerë për mbesën time, Hana. Ajo jeton në Gjermani dhe lexon shqip shumë mirë.