SPORT, 16 Gusht 2021, 14:37

I përfundoi kontrata, Shpëtim Duro largohet nga pankina e Laçit

I përfundoi kontrata, Shpëtim Duro largohet nga pankina e Laçit

Shpëtim Duro nuk është më trajner i Laçit. Teknikut të mirënjohur 61-vjeçar i ka përfunduar kontrata me klubin kurbinas dhe palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin e saj, ndaj edhe kanë zyrtarizuar divorcin.

Duro mori drejtimin e bardhezinjve në dhjetor të vitit të kaluar, pasi zëvendësoi shkodranin Armando Cungu dhe bëri mjaft mirë në pankinën e kurbinasve, pasi luftoi për titullin kampion deri në javën e fundit dhe e mbylli kampionatin në vendin e katërt, duke siguruar një vend në Conference League.

Edhe në Europë, kurbinasit shkruan historinë nën drejtimin e Duros, pasi për herë të parë ia dolën të shkojnë deri në turin e tretë eliminator. Laçi eliminoi Podgoricën në turin e parë dhe më pas bëri surprizën ndaj rumunëve të Universitatea Craiovës, duke nxjerrë jashtë Europës një ekip me buxhet shumë më të madh sesa kurbinasit.

Në turin e tretë skuadra e drejtuar nga Duro u përball me gjigantët belgë të Anderlechtit dhe u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 5-1 në të dy ndeshjet, ndërsa bashkë me aventurën europiane, përfundoi edhe kontrata e trajnerit me Laçin.

Aktualisht bardhezinjtë janë në pritje për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa drejtuesit duhet të gjejnë një tjetër trajner për t’i besuar drejtimin e ekipit.