BALLKAN, 19 September 2026, 09:25

Greqia plan për ripopullimin e Çamërisë/ 10 mijë € për familjët që pranojnë të shpërngulen në këto zona

Greqia po zgjeron një program financiar për ripopullimin e zonave kufitare dhe malore, duke ofruar deri në 10 mijë euro për familjet që vendosin të zhvendosen në këto territore. Gjysma e shumës do të jepet paraprakisht, ndërsa aplikimet pritet të hapen në tetor.

Greqia ka në plan të ripopullojë zonat e banuara përgjatë kufirit me Shqipërinë, në një përpjekje për të luftuar fenomenin e reduktimit të popullsisë. Për këtë qëllim, qeveria greke ka parashikuar një paketë financiare deri në 10,000 euro për familje, me 50% të shumës që do të jepet si paradhënie.

Pjesë kyçe e këtij plani janë bashkitë e Sulit dhe Filatit në Thesproti, si dhe ato të Pogonit e Konicës pranë Janinës. Këto zona historikisht kanë qenë të populluara edhe nga çamët, të cilët u dëbuan masivisht drejt Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Për shkak se këto treva bëjnë pjesë në zonat e izoluara malore që janë braktisur ndër vite, projekti parashikon edhe investime të drejtpërdrejta në infrastrukturë. Në plan përfshihen hapja e kopshteve, shkollave dhe klinikave shëndetësore, me synimin për të krijuar kushtet e nevojshme për rikthimin dhe vendosjen e banorëve të rinj.

Programi synon të zbusë dyndjen e popullsisë drejt metropoleve dhe të krijojë mundësi të reja jetese dhe punësimi në zonat e braktisura. Aplikimet pritet të nisin në tetor.

Përfitues mund të jetë kushdo që jeton dhe punon me dokumente të rregullta në Greqi, përfshirë edhe nomadët digjitalë. Një nga ndryshimet e rëndësishme në skemë është heqja e kushtit që aplikantët të kenë një parakontratë pune përpara zhvendosjes.

Programi nuk kufizohet vetëm te kufiri me Shqipërinë. Ai përfshin edhe zona të tjera përgjatë kufijve të Greqisë me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Turqinë.

Skema financiare është zgjerim i një programi që fillimisht u zbatua në rajonin e Evros, në kufi me Bullgarinë dhe Turqinë. Pas pjesëmarrjes më të ulët nga sa ishte parashikuar fillimisht, autoritetet greke vendosën të rrisin incentivën financiare dhe ta shtrijnë programin në zona të tjera kufitare.

Në kuadër të ndryshimeve, shuma e mbështetjes është përcaktuar në 10 mijë euro, pavarësisht madhësisë së zonës ku zhvendoset familja, ndërsa 50% e saj do të jepet paraprakisht. Gjithashtu, është hequr kërkesa për të pasur një kontratë pune të siguruar përpara zhvendosjes.

Një tjetër pjesë e politikës greke për ripopullimin e zonave të largëta lidhet me ishullin Kastellorizo, pranë brigjeve të Turqisë. Për personat që vendosin të vendosen në ishull parashikohet mbështetje financiare, ndërsa familjet përfitojnë shtesa për fëmijët. Në zonë janë planifikuar gjithashtu investime në arsim dhe shërbime të tjera publike.

Plani fillestar për ripopullimin e zonave të largëta nisi me Kastellorizon, ku Athina synon të fuqizojë pretendimet e saj sovrane dhe të sigurojë zonat vitale ekonomike detare në Mesdheun Lindor mes tensioneve me Turqinë, duke garantuar një prani të vazhdueshme civile e ushtarake.

Me zgjerimin e kësaj skeme, autoritetet greke synojnë të përballen me rënien demografike dhe braktisjen e zonave rurale e kufitare, duke kombinuar ndihmën financiare me investimet në infrastrukturë dhe shërbimet bazë.