BALLKAN, 18 September 2026, 13:32

"Fonde e ekspertë"/ Dënimi i ish-krerëve të UÇK, 4 kërkesat e protestuesve: Nga shfuqizimi i ligjit për Dhomat e Specializuara tek shkarkimi i Gërvallës

Mijëra qytetarë u mblodhën sot (18 shtator) në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në shenjë proteste ndaj vendimit të Speciales ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Në protestën që zgjati rreth 40 minuta qytetarët artikuluan katër kërkesa:

 -Shfuqizim ndryshim i ligjit për dhomat e specializuara;

-Shkarkim i ministres së drejtësisë Donika Gervalla;

-Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish krerëve;

-Angazhim ekspertësh ndërkombëtar në mbrojtjen e ish krerëve.

Një protestuese në fjalën e saj tha se ‘sot kur do të duhej të ishim në ditën e dytë të festës po protestojmë’. Sipas saj, po protestojnë sepse pafajësia është dënuar me dënime drakonike, ndërkohë kriminelët e luftës dhe njerëzimit, po enden në liri.

“Ky diskriminim, ky tentim për balancë false për të njëjtësuar viktimën me agresorin po na dhemb deri në palcë. Jemi të dëshpëruar se na është prekur ideali ynë, e po pyesim veten si mban kjo tokë tërë këtë dhimbje, tërë këtë padrejtësi. Si është e mundur të ndodhë gjithë ky inskenim, si nuk u shemb toka, apo çka e shemb këtë tokë tani që këmba e tyre nuk e shkeli tokën e Kosovës? Jemi këtu se po njolloset, përbaltet e tjetërsohet lufta e domosdoshme e një populli që i ishte vjedhur e drejta për liri, e drejta për dinjitet dhe e drejta për jetë në shtëpinë e tyre”, tha një protestuesja.