TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori sot një angazhim përpara Kongresit të 15-të të OKB-së për Parandalimin e Krimit dhe Drejtësinë Penale, që po zhvillohet në Abu Dhabi.
Gogu deklaroi se Instituti i Edukimit dhe Rehabilitimit të të Miturve do të jetë plotësisht funksional brenda tremujorit të parë të vitit 2027.
Ministri e nisi fjalimin e tij me një histori njerëzore nga Kruja, duke sjellë rastin e një të riu i cili kishte shkelur ligjin në moshën 17-vjeçare. Gjatë vuajtjes së dënimit, i mbështetur nga programi i riintegrimit, i riu kishte arritur të merrte arsimim dhe formim profesional, ndërsa sot punon dhe siguron jetesën vetë.
“Parandalimi i krimit nuk përfundon kur një krim është kryer. Ndonjëherë, pikërisht aty fillon parandalimi”, tha Gogu.
Ministri theksoi se rrjetet kriminale nuk njohin kufij dhe se përgjigjja ndaj tyre duhet të mbështetet në tri shtylla: institucione të forta, bashkëpunim ndërkombëtar dhe konfiskim të pasurive kriminale.
Gogu bëri të ditur gjithashtu se dy ditë më parë Shqipëria nënshkroi Konventën e OKB-së kundër Krimit Kibernetik.
“Teknologjia duhet ta ndihmojë gjykimin njerëzor. Ajo nuk duhet ta zëvendësojë kurrë”, u shpreh Gogu.
Sipas ministrit, Instituti i ri do ta vendosë fëmijën në qendër dhe do të mbështetet te arsimimi, rehabilitimi dhe riintegrimi.
“Një vepër penale e kryer në fillim të jetës nuk duhet të përcaktojë gjithë pjesën tjetër të saj”, përfundoi ministri Gogu.