TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zjarri apokaliptik që përfshiu Malin e Krujës shkaktoi panik te banorët e zonës pasi flakët iu afruan me shpejtësi zonave të banuara. Tmerri i përjetuar vihet re edhe në dëshmitë e banorëve, të cilët kanë treguar përjetimet.
Përveç banesave u rrezikuan edhe biznese, po ashtu edhe ullishte. Sipas banorëve dëmet janë të konsiderueshme.
Njëri prej tyre dekaroi se zjarrfikësit erdhën shumë vonë.
Plaka qante nëpër shtëpi, thoshte: le të digjem brenda”. Kjo është dëshmia tronditëse e një banori që përjetoi nga afër momentet e tmerrit, teksa flakët rrethuan banesat dhe i detyruan banorët të luftonin vetë për të shpëtuar shtëpitë dhe familjarët.
Sipas tij, zjarri u përhap brenda pak minutash dhe rrethoi plotësisht banesën.
“Të them të drejtën, për pesë minuta nga atje, erdhi e rrethoi komplet shtëpinë. Që të gjithë, ne morëm masa, sollëm kamionin me dy bota ujti dhe e kemi mbajtur komplet situatën vetë.”
Banori denoncon vonesën e mjeteve zjarrfikëse, duke thënë se ato mbërritën pasi flakët kishin përparuar ndjeshëm.
“Zjarrfikëset kanë hyrë shumë vonë. Mbasi u ka shkuar krejt zjarri, kanë ardhur vetëm sa për me fik vatrat e vogla, se zjarrin e kemi mbajtur vetë komplet.”
Përballë përhapjes së flakëve, familjet u detyruan të largonin fëmijët dhe të afërmit, ndërsa burrat e zonës u organizuan për të luftuar me zjarrin.
“Dolëm, i nxorëm fëmijët e krejt, me një siklet të madh. Erdhën burrat, u bëmë me çunat që e kemi mbajt. Se ka qenë një tmerr i papamë.”
Ai tregon se zjarri u përhap në disa drejtime, duke rrezikuar jo vetëm banesat, por edhe magazinat e ujësjellësit dhe biznese të tjera të zonës.
“Mori kjo pjesa e ullishtes. Edhe u fut në të dy krahët. Rreth e rrotull shtëpisë doli zjarri para, vazhdoi mori ajo magazinat e ujësjellësit, zyrat tjetër atje prapë më para. Ka qenë një kaos i papamë. Kaos i papamë. Nuk ka bërë vaki ndonjëherë.”
Një tjetër problem gjatë situatës emergjente ishte evakuimi i banorëve. Sipas dëshmisë, rrugët u bllokuan dhe mjetet zjarrfikëse e patën të vështirë të hynin në zonë.
“Po krejt lagjja po evakuohej, u bllokuan rrugët e zjarrfikësve, s’kishte asnjë lloj mënyre me hyrë zjarrfikëset. Ishin njerëzit krejt… kush mund të ikte më parë, krejt lagjja u tmerrua.”
Flakët iu afruan edhe një fasonerie, ndërsa rrezik serioz paraqisnin dy kabinat elektrike që ndodheshin pranë banesave. Sipas banorit, ndërhyrja e punonjësve të OSHEE-së bëri të mundur shmangien e një situate edhe më të rëndë.
“Aty matanë është një fasoneri… edhe aty kishin komplet frikë, që do të shpërthente ajo. Që këtu mbas shtëpisë janë edhe dy gabinat elektrike, po të shpërthenin ato mund të bënte katastrofë. Po qenë ata të OSHEE-së, ata e ulën thikat dhe u mor situata.”
Edhe pas kalimit të flakëve kryesore, situata nuk ishte normalizuar plotësisht. Mbetjet pranë fasonerisë vijonin të digjeshin gradualisht, ndërsa banorët punonin për të larguar materialet që mund të përbënin rrezik.
“Janë mbetje të fasonerive aty, edhe ato digjen avash-avash, gradualisht.”
Por dëmi më i madh për banorët është ai ekonomik dhe ekologjik. Pas banesave, zjarri ka shkrumbuar ullishtet e zonës, duke zhdukur pemë shekullore.
I pyetur për përmasat e dëmit, banori përgjigjet me një dëshmi që tregon qartë pasojat e zjarrit:
“A ka vlerësim ky lloj dëmi? Shihe vetë, shihe.”
Dhe përballë ullinjve të djegur, ai tregon se bëhet fjalë për pemë mbi 100-vjeçare.
“Komplet ullishtet e sheh si ka qenë. Kanë dalë totalisht mor, totalisht, totalisht.”
“Ullinjtë janë shekullore, mbi 100 vjet. Mbi 100 vjet. Ato janë mbjellë… me një fjalë, prej vitit ’40.”
Një dëshmi që tregon jo vetëm përmasat e dëmit të shkaktuar nga flakët, por edhe ankthin e banorëve që, në momentet më kritike, u përballën me zjarrin pranë shtëpive të tyre, ndërsa përpiqeshin të shpëtonin familjarët dhe pronat.
Një tjetër pasojë e zjarreve që lë pas jo vetëm dëme materiale, por edhe pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si u menaxhua emergjenca dhe ndërhyrja në terren.