SPORT, 8 August 2026, 21:37

Ferran Torres zgjedh PSG-në, marrëveshja 4-vjeçare pranë finalizimit, ja sa mund të fitojë Barcelona

Ferran Torres është një prej emrave të rëndësishëm që mund të largohet nga Barcelona në merkaton e kësaj vere. Sulmuesi valencian, i cili ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me klubin katalanas, i ka thënë “po” gjatë kësaj jave një transferimi te Paris Saint-Germain.

Sulmuesi spanjoll ka autorizuar klubin parizien të nisë bisedimet me Barcelonën, me synimin që transferimi i tij në kryeqytetin francez të mbyllet përpara 12 gushtit.

Ferran Torres, i cili thuhet se ka arritur një marrëveshje me PSG-në për katër sezone, dëshiron t’i bashkohet projektit të trajnerit Luis Enrique. Sipas programit “Jijantes”, futbollisti ka telefonuar trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick, disa ditë më parë për t’i komunikuar zyrtarisht dëshirën e tij për t’u larguar nga klubi dhe për t’u transferuar te Paris Saint-Germain.

E përditshmja “Marca” raporton se PSG është gati të paguajë deri në 50 milionë euro për kartonin e Ferran Torres. Palët thuhet se janë shumë pranë një marrëveshjeje, edhe pse deri tani nuk ka ende një ofertë formale.

Barcelona, nga ana e saj, pranon se është në dijeni të vullnetit të Ferran Torres dhe interesimit të klubit francez për të siguruar shërbimet e tij.

Ferran ishte pjesë e planeve të Drejtorisë Sportive të Barcelonës, ndërsa drejtori sportiv Deco ishte i gatshëm t’i ofronte rinovimin e kontratës në muajin shtator, pasi të përfundonte merkatoja e transferimeve, për shkak të çështjeve që lidhen me Fair Play Financiar.

Megjithatë, sulmuesi i kombëtares spanjolle preferon transferimin në Paris, ku synon të nisë një aventurë të re profesionale.

Në këtë pikë, klubi katalanas nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë sakrificë të madhe financiare për të mbajtur Ferran Torres dhe nuk pritet të kundërshtojë largimin e tij. Megjithatë, Barcelona nuk dëshiron ta lejojë largimin e sulmuesit pa përfituar financiarisht, pavarësisht se atij i ka mbetur vetëm një vit kontratë.

Drejtuesit sportivë të Barcelonës e vlerësojnë sulmuesin valencian dhe shpresojnë të marrin një ofertë që përputhet me vlerën aktuale të tij në merkato.

Të gjitha rrugët duket se çojnë drejt të njëjtit destinacion dhe gjithçka tregon se një prej çështjeve që kanë tërhequr vëmendjen në Camp Nou gjatë kësaj merkatoje është drejt mbylljes.