TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Apple ka prezantuar sot gjeneratën e re të telefonave të saj, duke sjellë një prej ndryshimeve më të mëdha në historinë e iPhone. Për herë të parë, kompania ka hyrë në tregun e telefonave me palosje me iPhone Duo, ndërsa krahas tij ka prezantuar edhe iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max.
Produktet e reja u prezantuan gjatë eventit të vjeshtës të Apple për iPhone, të quajtur “Surprise and Shine”.
iPhone Duo, risia më e madhe e Apple
iPhone Duo përfaqëson hyrjen e parë të Apple në tregun e telefonave me palosje, një kategori që prej vitesh dominohet nga Samsung, ndërsa në të janë të pranishme edhe kompani të tjera të mëdha të teknologjisë.
Pajisja është konceptuar me një dizajn që paloset dhe hapet si një libër. Kur është e mbyllur, ekrani ka përmasa të ngjashme me një pasaportë, ndërsa kur hapet, Duo ofron një ekran të vetëm dhe të pandërprerë prej 7.6 inçësh.
Ekrani mund të përdoret si horizontalisht, ashtu edhe vertikalisht, duke ofruar më shumë hapësirë për aplikacione, video dhe përdorim të njëkohshëm të disa funksioneve.
Dizajni e bën Duo-n iPhone-in më të hollë të prodhuar ndonjëherë nga Apple dhe synon të kombinojë madhësinë kompakte të një telefoni me hapësirën e një pajisjeje më të madhe.
Butonat komandues janë vendosur në anën e djathtë të ekranit, në vend që të jenë në pjesën e poshtme. Ky ndryshim është bërë për t’ua lehtësuar përdoruesve arritjen dhe përdorimin e tyre me gishtat e mëdhenj.
CEO John Ternus tha se shumica e telefonave të palosshëm ekzistues duken si “dy telefona të ngjitur në mënyrë të sikletshme së bashku”, duke argumentuar se Apple ka synuar një qasje më të integruar në dizajnin e Duo.
Me hyrjen e Apple, tregu i telefonave me palosje merr një prej lojtarëve më të mëdhenj të industrisë. Kategoria mbetet relativisht e vogël krahasuar me tregun tradicional të telefonave inteligjentë, por është në rritje dhe pritet të zgjerohet më tej gjatë viteve të ardhshme.






iPhone 18 Pro dhe 18 Pro Max me kamera të reja
Përveç iPhone Duo, Apple prezantoi edhe iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max.
Dizajni i dy modeleve Pro mbetet i ngjashëm me gjeneratën e mëparshme, por fokusi kryesor i përmirësimeve është sistemi i kamerave.
Gjenerata e re përfshin kamera 48 megapikselë me hapje të ndryshueshme, të ndërtuara me gjashtë fletëza të holla. Sistemi i ri synon të përmirësojë cilësinë dhe shpejtësinë e fotografimit, veçanërisht në kushte me ndriçim të ulët.
Në aplikacionin e kamerës janë shtuar funksione të reja për kontrollin e balancimit të të bardhës, shpejtësisë së shkrepjes, hapjes së diafragmës dhe histogramit.
Kamera mund të regjistrojë video 4K në Dolby HDR Vision, ndërsa përdoruesit mund të aplikojnë edhe efekte kinematografike pas regjistrimit të materialit.
Apple ka shtuar gjithashtu një veçori të quajtur “Apple Reference Image”, e cila synon të ndihmojë në verifikimin e autenticitetit të fotografive në një periudhë kur imazhet e krijuara dhe të manipuluara me inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.


Dynamic Island bëhet më i vogël
Një tjetër ndryshim është bërë në pjesën e përparme të pajisjes. Dynamic Island është më i vogël dhe tani u mundëson përdoruesve të ndjekin deri në tre aktivitete në kohë reale, krahasuar me dy që mund të ndiqeshin më parë.
Të dy modelet Pro funksionojnë me çipin më të fundit të Apple, A20 Pro, ndërsa kompania ka ridizajnuar edhe dhomën e avullit për të përmirësuar ftohjen e pajisjes.
Çipi i ri është ndërtuar mbi teknologjinë 2 nanometra dhe sjell përmirësime në performancë dhe përpunimin e detyrave të inteligjencës artificiale.
Apple ka punuar gjithashtu në efikasitetin e baterisë. Kompania deklaroi se iPhone 18 Pro mund të ofrojë deri në 36 orë regjistrim video, ndërsa iPhone 18 Pro Max deri në 45 orë.
Një pjesë e hapësirës së kursyer nga përdorimi i eSIM-it është shfrytëzuar për bateri më të mëdha.
Siri i ri me inteligjencë artificiale
Apple prezantoi edhe versionin e ri të Siri-t, i cili tashmë mund të kuptojë më mirë kontekstin e asaj që shfaqet në ekran.
Sipas kompanisë, Siri i ri do të funksionojë fillimisht në anglisht, ndërsa nga tetori do të jetë i disponueshëm edhe në frëngjisht, japonisht, koreanishte, portugalisht dhe spanjisht.
Në pajisjet e reja do të funksionojë gjithashtu iPhone Handoff me iOS 27, i cili u mundëson përdoruesve të përdorin dy iPhone me një eSIM dhe të kalojnë nga një pajisje te tjetra.
Ngjyrë e re dhe çmimet
Apple ka prezantuar një ngjyrë të re “burgundy”, e cila i ngjan ngjyrës së verës dhe zëvendëson ngjyrën portokalli të përdorur në iPhone 17 Pro.
iPhone 18 Pro kushton 1,199 dollarë, ndërsa iPhone 18 Pro Max kushton 1,299 dollarë, që do të thotë 100 dollarë më shumë se modelet e vitit të kaluar.
Të dy modelet ofrohen gjithashtu me kapacitete më të mëdha ruajtjeje, deri në 2 TB.
Porositë paraprake mund të bëhen të shtunën, ndërsa pajisjet do të jenë të disponueshme më 18 shtator.
Me iPhone Duo, Apple po hyn në një kategori të re të tregut të telefonave inteligjentë, ndërsa me iPhone 18 Pro dhe 18 Pro Max vazhdon të përmirësojë linjën tradicionale të pajisjeve të saj. Hyrja në tregun e telefonave me palosje shënon njëkohësisht një prej ndryshimeve më të rëndësishme strategjike të Apple në historinë e iPhone.