BOTA, 9 September 2026, 09:26

SHBA godet 5 cisterna iraniane pas sulmit ndaj anijes luftarake, Teherani kundërpërgjigjet me raketa drejt një baze amerikane në Jordani

Forcat amerikane goditën pesë anije cisterna iraniane, duke fundosur njërën prej tyre, në përgjigje të sulmit nga Teherani ndaj një anijeje luftarake amerikane, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom).

Teherani u përgjigj duke lëshuar raketa në një bazë amerikane në Jordani, shumica e të cilave u rrëzuan, dhe sulmoi dy anije amerikane dhe tetë cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit.

Jordania tha se kishte rrëzuar 18 nga 20 raketat iraniane, ndërsa dy prej tyre ranë në zona të pabanuara, sipas BBC.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), katër cisterna të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) u goditën në Gjirin e Omanit, ndërsa një tjetër u sulmua pranë ishullit Kharg, një prej pikave kryesore të eksportit të naftës iraniane.

Në përgjigje të sulmeve amerikane, Irani lëshoi raketa drejt një baze amerikane në Jordani. Autoritetet jordaneze deklaruan se mbrojtja ajrore e vendit arriti të rrëzonte 18 nga 20 raketat, ndërsa dy të tjera ranë në zona të pabanuara.

Përplasja e fundit shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas disa ditësh sulmesh reciproke.

Irani kërcënon me sulme të tjera

Teherani ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë sulme të tjera ndaj anijeve amerikane dhe atyre të lidhura me SHBA-në në portet e Kuvajtit dhe Bahreinit.

Komanda Detare e Gardës Revolucionare iraniane u ka bërë thirrje ekuipazheve të cisternave të naftës të lidhura me SHBA-në që të largohen menjëherë nga anijet, duke paralajmëruar se ato mund të bëhen objektiv i sulmeve.

Nga ana tjetër, CENTCOM deklaroi se pesë cisternat e goditura ishin pjesë e një “rrjeti në hije, me vlerë miliarda dollarë”, që sipas amerikanëve financon Gardën Revolucionare Islamike dhe grupet e saj aleate në rajon.

Ishulli Kharg, një pikë kyçe për eksportet iraniane

Një prej cisternave u godit pranë ishullit Kharg, ku ndodhet terminali kryesor i Iranit për eksportin e naftës.

Rreth 90% e naftës bruto iraniane kalon përmes këtij ishulli, duke e bërë atë një objektiv me rëndësi të madhe strategjike.

Përshkallëzimi i konfliktit ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent u rrit me rreth 1.5%, në 99.41 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 1.6%, duke arritur në rreth 94.55 dollarë për fuçi.

Rubio: “Për çdo sulm ndaj anijeve amerikane, Irani do të humbasë cisterna”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi situatën si “mjaft të drejtpërdrejtë”.

“Irani vazhdon të përpiqet të godasë anijet luftarake amerikane. Dhe për çdo herë që e bën këtë ose përpiqet ta bëjë, do të humbasë cisterna”, deklaroi Rubio gjatë një vizite në Kolumbi.

Sipas CENTCOM, anija amerikane e shënjestruar nga raketat iraniane arriti t’u shmangej sulmeve dhe asnjë ushtar amerikan nuk u plagos.

Sulmet e fundit vijnë vetëm pak ditë pasi SHBA-ja goditi tre cisterna të tjera iraniane, pas përpjekjeve të Teheranit për të sulmuar një aeroplanmbajtëse dhe një anije amerikane të pajisur me raketa të drejtuara.

Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa çdo përshkallëzim i mëtejshëm rrezikon të ndikojë jo vetëm në sigurinë e Lindjes së Mesme, por edhe në furnizimin global me naftë dhe çmimet në tregjet ndërkombëtare.