BOTA, 9 September 2026, 19:35

Kriza e emigrantëve në Ceuta/ Bashkimi Evropian i jep Spanjës 115 milionë euro ndihmë

Kriza e emigrantëve në Ceuta/ Bashkimi Evropian i jep Spanjës 115

Bashkimi Evropian ka miratuar një ndihmë emergjente prej 114.7 milionë eurosh për Spanjën, me qëllim përballimin e krizës së migracionit në enklavën spanjolle të Ceutës, pas fluksit masiv të emigrantëve nga Maroku në fund të korrikut.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, fondet do të përdoren kryesisht për forcimin e kontrollit kufitar, blerjen e pajisjeve të mbikëqyrjes, përfshirë kamera termike, si dhe për angazhimin e personelit shtesë. Një pjesë e ndihmës do të shkojë edhe për kthimin e personave që ndodhen në mënyrë të paligjshme në Ceuta, ndërsa do të forcohen edhe kapacitetet e pritjes për të miturit e pashoqëruar.

Më 30 dhe 31 korrik, më shumë se 70 mijë emigrantë hynë në Ceuta, një prej dy kufijve tokësorë të Spanjës me Afrikën, së bashku me Melillën. Fluksi masiv shkaktoi dhjetëra viktima dhe persona të zhdukur. Shumica e emigrantëve u larguan nga enklava menjëherë pas mbërritjes, ndërsa mijëra të tjerë mbetën në Ceuta. Shifrat e raportuara ndryshojnë, me qeverinë spanjolle që përmend rreth 5 mijë persona, ndërsa autoritetet lokale flasin për të paktën 10 mijë.

Presidenti i Ceutës, Juan Jesús Vivas, i kishte kërkuar BE-së ndërhyrje dhe mbështetje për përballimin e situatës. Ai ka akuzuar Marokun se ka luajtur një rol në krijimin e fluksit masiv të emigrantëve. Qeveria e Pedro Sánchez ka qenë më e rezervuar në lidhje me këto akuza, duke deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se autoritetet marokene e planifikuan ose e organizuan fluksin.

Ndërkohë, dyshimet për rolin e Marokut janë shtuar pas publikimit të një raporti policor që evidentonte një qëndrim tolerant të forcave të sigurisë marokene gjatë krizës. Për këtë situatë, autoritetet spanjolle kanë nisur edhe një hetim gjyqësor.