BOTA, 7 September 2026, 22:47

Zelensky merr mesazh nga të dërguarit e Trump se "rusët janë gati të negociojnë"

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka marrë nga të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump një mesazh të rëndësishëm: Rusia është e gatshme të rikthehet në tryezën e negociatave.

Pas takimit në Kiev me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, Zelensky tha se ata i kanë përcjellë mesazhin se “rusët janë gati të negociojnë”.

Takimi u zhvillua më 6 shtator, menjëherë pasi Witkoff dhe Kushner kishin zhvilluar bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, Zelensky mbetet skeptik. Sipas tij, veprimet e Rusisë në fushën e betejës dhe intensifikimi i sulmeve të fundit nuk japin shumë shenja se Moska është realisht e gatshme për kompromis.

Presidenti ukrainas tha se të dërguarit amerikanë i kanë bërë të ditur gjithashtu se Putin është “i gatshëm të diskutojë” ide të reja për avancimin e procesit diplomatik.

Sipas Zelenskyt, vizitat e Witkoff dhe Kushner në Moskë dhe Kiev kishin si objektiv kryesor zhbllokimin e procesit të negociatave, por amerikanët sollën gjithashtu disa ide të reja.

Një pjesë e diskutimeve lidhej me mundësinë e uljes së tensioneve gjatë dimrit, veçanërisht në sektorët energjetikë dhe ekonomikë.

“Ka ide që lidhen me objektet energjetike, dërgesat e grurit, energjinë elektrike, si dhe eksportet e naftës dhe gazit. Ne dhe Rusia kemi interesa të ndryshme”, deklaroi Zelensky.

Ai tha se qasja e re amerikane duket se ka dy objektiva kryesore: rikthimin e negociatave dhe gjetjen e marrëveshjeve që do t'u mundësonin Ukrainës dhe Rusisë të kalojnë dimrin pa një përshkallëzim të madh të konfliktit.

Sipas presidentit ukrainas, kjo ide është “shumë pranë realitetit” të bisedimeve të zhvilluara me të dërguarit amerikanë.

Zelensky tha se synimi është që gjatë muajve të ardhshëm të gjenden masa konkrete që mund t’i afrojnë palët drejt paqes, qoftë përpara dimrit apo gjatë tij.

Një tjetër element i rëndësishëm i diskutimeve është mbështetja amerikane për një “paketë dimërore” për Ukrainën.

Kjo paketë do të përfshinte ndihmë për mbrojtjen ajrore dhe sektorin energjetik, në një kohë kur Ukraina përballet me rrezikun e sulmeve të reja ruse ndaj infrastrukturës kritike.

“Bëhet fjalë jo vetëm për raketa. Bëhet fjalë edhe për LNG-në, por edhe për hapa drejt de-përshkallëzimit”, tha Zelensky.

Këto deklarata vijnë në një moment kritik për diplomacinë amerikane. Pas takimeve në Moskë dhe Kiev, Uashingtoni po përpiqet të hapë një kanal të ri negociatash, ndërsa fjalët për gatishmërinë ruse për dialog tani duhet të përkthehen në hapa konkretë në terren.