AKTUALITET, 26 September 2026, 09:08

EMRAT/ Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, zgjidhen tre anëtarët e rinj magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor

EMRAT/ Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, zgjidhen tre

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve zgjodhi të premten më 25 shtator tre anëtarët e rinj magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, gjyqtarin Sandër Simoni, gjyqtarin Fatri Islamaj dhe gjyqtaren Brunilda Kadi.

Nga Gjykata e Lartë kandiduan për një vend në KLGJ, gjyqtarët Arbena Ahemti dhe Sandër Simoni. Ata dolën barazim duke siguruar nga 179 vota secili. Sipas rregullores, u vijua me përzgjedhjen me short dhe pas shortit me gogla, fitues rezultoi gjyqtari Sandër Simoni. Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Igerta Hysi mori mbështetjen e 171 kolegëve, ndërsa kandidati Fatri Islamaj u përzgjodh fitues me 190 vota.

Gjyqtari Sandër Simoni u ushtroni funksionin në Gjykatën e Lartë prej 19 marsit të vitit 2021. Më parë ai ka qenë gjyqtar dhe kryetar i ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Simoni ka shërbyer edhe si anëtar dhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED dhe është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës për Procedurën Penale.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fatri Islamaj, ka mbajtur gjatë periudhës 2012-2016 funksionin e kryetarit të Gjykatës së Rreghit Gjyqësor Tiranë. Edhe ai ka qenë anëtar i KED, si dhe është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës.

Nga tre gjyqtaret e Shkallës së Parë që garuan, Matilda LLangozi, Manjolla Xhaxho dhe Brunilda Kadi, u zgjodh fituese kjo e fundit. Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Brunilda Kadi ka qenë më parë anëtare e KLGJ-së, për periudhën 2018-2021. Ajo ka shërbyer si gjyqtare edhe në Fier e Elbasan.