TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Elseid Hysaj është gati të nisë një eksperiencë të re në karrierën e tij. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i cili ka mbetur pa skuadër që prej 30 qershorit, kur i skadoi kontrata me Lazion, duket se mund të provojë kampionatin rus.
Lajmi bëhet i ditur nga portali “Tuttomercatoweb”, sipas të cilit Elseid Hysaj ka marrë oferta të rëndësishme nga disa klube të Premier League ruse. Këto skuadra po vlerësojnë mundësinë e transferimit të futbollistit 32-vjeçar, i cili mund të regjistrohet në çdo moment, pasi aktualisht është lojtar i lirë.
Elseid Hysaj ka një karrierë të gjatë në futbollin italian. Mbrojtësi shkodran, pasi luajti në ekipet zinxhir të Empolit, bëri debutimin me skuadrën e parë në vitin 2011, ku qëndroi deri në vitin 2015. Gjatë kësaj periudhe, Hysaj zhvilloi 109 ndeshje, shënoi 1 gol dhe dha 3 asistime.
Më pas, futbollisti shqiptar u transferua te Napoli, ku qëndroi deri në vitin 2021. Kjo ishte eksperienca më domethënëse e tij në Itali, me 223 ndeshje të zhvilluara, 1 gol dhe 10 asistime.
Në etapën e fundit të karrierës së tij në futbollin italian, Hysaj u aktivizua me Lazion deri më 30 qershor të këtij viti. Eksperiencën me klubin kryeqytetas ai e mbylli pas 131 ndeshjesh, 2 golash dhe 4 asistimeve.