AKTUALITET, 2 November 2026, 12:17

'Ekonomia'/ Pr.buxheti 2027, BQSH, tre sugjerime për qeverinë: Reformoni skemën e pensioneve, shpenzoni më mirë paratë, kujdes borxhin

'Ekonomia'/ Pr.buxheti 2027, BQSH, tre sugjerime për

Reformoni skemën e pensioneve, shpenzoni më mirë paratë publike dhe bëni kujdes me borxhin. Këto janë 3 sugjerimet që Banka e Shqipërisë i drejton qeverisë për projektbuxhetin e vitit 2027, i cili do të jetë në vlerën e 976 miliardë lekëve, ose rreth 10.7 miliardë euro. 

Në Komisionin e Ekonomisë, zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj kërkoi që paratë e shtetit të përdoren në mënyrë më të planifikuar, duke shmangur përqendrimin e shpenzimeve dhe investimeve në periudha të caktuara të vitit.

“Banka e Shqipërisë nënvizon nevojën e një planifikimi dhe realizimi më të njëtrajtshëm të shpenzimeve buxhetore, e sidomos të realizimit të investimeve, gjatë vitit. Kjo praktikë do të mundësonte përdorimin më efikas të burimeve publike”, tha ajo.

Banka e Shqipërisë paralajmëron se emigracioni dhe plakja e popullsisë po vështirësojnë financimin e skemës së pensioneve.

“Trendet e pafavorshme demografike, si emigracioni, plakja e popullsisë dhe rënia e popullsisë në moshë pune, pritet të shtojnë presionet mbi skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke thelluar sfidat për qëndrueshmërinë e financave publike. Kjo nënvizon rëndësinë e reformave, në këtë kontekst BSH inkurajon reformimin e sistemit të pensioneve, të cilat synojnë vendosjen e një ekuilibri të qëndrueshëm mes përfitimit dhe kapacitetit financiar të skemës. Vlerësojmë shqyrtimin e mundësive për përshtatje të skemës publike, zgjerimin bazës së kontribuuesve dhe zgjerimin e skemave plotësuese të mëtejshme. E nevojshme është përfshirja e statistikave demografike për planifikimin fiskal”, theksoi ajo.

Sugjerimi i tretë është kujdesi me borxhin publik. Banka e Shqipërisë kërkon që qeveria të marrë parasysh rreziqet që mund të sjellin ndryshimet në ekonomi dhe rritja e kostove të huamarrjes, në mënyrë që të shmangen vështirësitë me financimin e buxhetit.

“Përmirësimi i administrimit të rreziqeve fiskale. Në një mjedis ekonomik të karakterizuar nga pasiguri, forcimi i mekanizmave për identifikimin, dhe administrimin e rreziqeve është i rëndësishëm. Vëmendje i duhet kushtuar kostove në borxh apo në financim.

Ne gjykojmë se vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet ndikimit që mund të kenë mbi treguesit buxhetorë dhe trajektoren e borxhit publik, zhvillimet më pak të favorshme ekonomike dhe ndryshimet në kushtet e financimit”, vijoi zv.guvernatorja.
Pavarësisht këtyre sugjerimeve, Banka e Shqipërisë e vlerëson pozitivisht projektbuxhetin e vitit 2027, duke theksuar se ai ruan qëndrueshmërinë e financave publike dhe krijon mundësi për investime.