AKTUALITET, 1 September 2026, 22:39

E rëndë në Korçë/ Vëllai plagos vëllain me sëpatë, ngjarja pas një konflikti brenda banesës

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në lagjen nr. 13 të Korçës, ku një person është plagosur pasi është goditur me sëpatë.

Në konflikt janë përfshirë dy vëllezër, të cilët ndodheshin brenda banesës. Pas agravimit të situatës, njëri prej tyre ka goditur me sëpatë vëllain e tij.

Pas ngjarjes, autori është larguar nga banesa, por është kapur pak minuta më pas nga forcat e Policisë.

I plagosuri është dërguar në spitalin e qytetit të Korçës, ku po merr ndihmën mjekësore. Ai ka marrë një plagë në shpatull dhe, fatmirësisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, autori është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të konfliktit mes dy vëllezërve.