AKTUALITET, 1 September 2026, 20:11

Përshkallëzohet protesta e 94-të, qytetarët bllokojnë hyrjen e Kryeministrisë, Policia rrethon godinën

Siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, protesta qytetare ka hyrë sot në një fazë të re përshkallëzimi. Në ditën e 94-të të qëndresës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, protestuesit kanë ndryshuar skenarin e marshimeve të mëparshme, duke u pozicionuar në një nga hyrjet anësore të Kryeministrisë, pranë Piramidës.

Qytetarët kanë bllokuar hyrjen me qëllim pengimin e daljes, pasi kanë mësuar se kryeministri Edi Rama ndodhet brenda ambienteve të institucionit.

“Dil në bulevard!”, është thirrja që protestuesit i kanë drejtuar kryeministrit, ndërsa vijojnë të qëndrojnë përpara godinës dhe të kërkojnë që Rama të dalë përballë tyre në bulevard.

Ndryshe nga netët e tjera, kur protestuesit marshonin drejt Kryeministrisë dhe qëndronin përpara saj, këtë herë ata janë vendosur te një prej hyrjeve anësore, duke penguar kalimin.

Situata ka vënë në lëvizje edhe forcat e Policisë së Shtetit, të cilat janë pozicionuar rreth godinës së Kryeministrisë dhe në ambientet përpara saj, duke monitoruar situatën dhe në përpjekje për të shmangur bllokimin e hyrjeve.

Ndërkohë, protesta ka penguar edhe daljen e kryeministrit Edi Rama nga godina. Automjeti i tij raportohet se ndodhej i ndezur pranë hyrjes ku janë pozicionuar qytetarët.

Protesta vijon mes thirrjeve kundër qeverisë dhe kërkesës së protestuesve që kryeministri Rama të dalë përballë tyre në bulevard.