AKTUALITET, 9 November 2026, 12:10

Detaje/ Kush është i dyshuari Duka, “Gjuetari i Bankave” që u arrestua pas grabitjeve të armatosura të dy filialeve në Tiranë

Detaje/ Kush është i dyshuari Duka, “Gjuetari i Bankave”

Robert Duka, 50-vjeçari nga Vlora u vendos në prangat e policisë së Tiranës këtë të hënë, si i dyshuar për grabitjen e armatosur të dy filialeve të bankave të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Ngjarja e parë daton më datë 2 qershor të këtij viti, ndërsa e dyta vetëm një javë më parë, ku dyshohet se ai ia doli të rrëmbente afro 60 mijë euro nën kërcënimin e armës së zjarrit.

Në një dalje për mediet, drejtori i policisë së Tiranës, Oliger Torba bëri me dije se Robert Duka u identifikua duke përdorur teknologjinë pavarësisht maskimit.

Pas grabitjes së dytë, asaj në degën e “Raiffeisen Bank” të një jave më parë, Robert Duka u largua me një monopatinë.

Ndërkohë që gjatë kontrolleve u sekuestruan 8 200 euro, veshjet e përdorura gjatë kryerjes së veprave penale si dhe 2 aparate celularë.

“Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”.

Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë.

Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan ;

– 8 200 euro,

– Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale

– 2 aparate celularë”.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fly”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe autoritetet doganore, bazuar në informacionet e siguruara ushtruan kontroll në bagazhet e pasagjerëve të linjës ajrore Athinë–Rinas.

Gjatë kontrollit, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si lëndë narkotike Cannabis sativa.

Pas veprimeve intensive hetimore u identifikua poseduesi i dyshuar i valixhes, shtetasi grek M. P., 51 vjeç, i cili ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në rrugën e Durrësit, ku u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, dje, nga Strukturat hetimore, u kapën dhe u ndaluan 3 shtetas me masë sigurie “Arrest me burg” konkretisht;

– O.K. 29 vjeç

– G.S. 28 vjeç

– S.H. 20 vjeç, bën me dije drejtori i policisë së Tiranës.