AKTUALITET, 9 November 2026, 09:34

Reforma Zgjedhore/ Kuvendi rinis sot punën për formulën e re të votimit për këshillat bashkiakë, pas hartës së re territoriale

Reforma Zgjedhore/ Kuvendi rinis sot punën për formulën e re

Më në fund Kuvendi do të rinisë sot punën për Reformën Zgjedhore. Pas muajsh të tërë pezull, komisioni i posaçëm do të rishikojë formulën e përfaqësimit në Këshillat Bashkiakë, pas ndarjes së re territoriale. Mbledhja mbahet në orën 13:00.

Palët do të duhet të adresojnë edhe rekomandimet e OSBE/ ODIHR dhe Komisionit Evropian për një reformë të thellë zgjedhore që nuk duhet të përfshijë vetëm dy partitë e mëdha PD-PS por edhe partitë e tjera.

Propozimi i PD është për lista 100% të hapura, edhe në zgjedhjen e këshillave bashkiakë. Ndërsa socialistët ende nuk e kanë një propozim mbi sistemin zgjedhor, por kanë paralajmëruar se nëse nuk gjendet një rrugë e dakordësuar do të vijojnë të vetëm reformën.

Në mbledhjen e sotme, në rend dite janë parashikuar dy çështje: diskutimi i detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, në kuadër të procesit të reformës zgjedhore; dhe vijimi i shqyrtimit të detyrave të lëna lidhur me projektligjin “Për financimin e partive politike” dhe çështjeve të mbetura të reformës zgjedhore.

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar që puna të përqendrohet te zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, dhe që Reforma Zgjedhore të garantojë ndarjen e shtetit nga partia në pushtet.

Sa i përket sistemit të ri zgjedhor, Partia Demokratike është shprehur për lista 100% të hapura, edhe në zgjedhjen e këshillave bashkiakë, ndërsa socialistët janë të hapur që të diskutojnë sistemin, me kushtin që në paketën e ndryshimeve kushtetuese të përfshihet edhe ulja e numrit të deputetëve nga 140 në 101.

Komisioni i Reformës Zgjedhore bashkëdrejtohet nga Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Damian Gjiknuri nga radhët e PS, ndërsa mandati i këtij komisioni përfundon në fund të muajit nëntor.

Por, komisioni duhet të nxitojë pasi mazhoranca ka paralajmëruar se nuk do të ketë shtyrje.