TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkelje të Konventës në çështjen e Fredi Belerit, duke vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit të tij nuk ishte mbështetur në arsye të mjaftueshme. Gjykata ka vendosur se, të paktën nga 19 korriku 2023 e në vijim, autoritetet shqiptare nuk kishin dhënë një justifikim të mjaftueshëm për mbajtjen e tij në burg, informon VNA.
Në vendimin e njoftuar më 10 nëntor 2026, Strasburgu thekson se paraburgimi fillestar i Belerit ishte i justifikuar, duke mos konstatuar shkelje të Konventës për periudhën e parë pas arrestimit. Megjithatë, Gjykata vlerëson se me kalimin e kohës autoritetet duhej të rishqyrtonin në mënyrë të plotë nëse vazhdonin të ekzistonin arsyet për mbajtjen e tij në paraburgim dhe nëse mund të zbatoheshin masa më të buta sigurie.
Sipas vendimit, Beleri u arrestua më 12 maj 2023 dhe qëndroi në paraburgim deri më 5 mars 2024, kur u dënua. Periudha e paraburgimit zgjati 9 muaj e 21 ditë.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata vuri në dukje se autoritetet shqiptare ishin mbështetur te rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit te dëshmitarët, rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe serioziteti i akuzës. Megjithatë, Strasburgu konstatoi se gjykatat vendase nuk kishin vlerësuar siç duhej ndryshimin e rrethanave me kalimin e kohës.
Në mënyrë të veçantë, Gjykata theksoi se gjykatat shqiptare nuk kishin marrë në konsideratë sa duhet përfundimin e hetimeve dhe faktin se aktakuza ishte ngritur, si dhe nuk kishin identifikuar prova konkrete që mund të rrezikoheshin nga ndërhyrja e Belerit. Po ashtu, nuk ishin vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme lidhjet e tij familjare dhe ekonomike me Himarën, ku jetonte familja e tij dhe ku kishte aktivitet tregtar.
Një tjetër kritikë e Strasburgut lidhet me mënyrën se si gjykatat vendase kishin shqyrtuar kërkesat e Belerit për zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të butë. Sipas Gjykatës, ato nuk mund të kufizoheshin vetëm te argumenti se çështjet ishin shqyrtuar më parë, por duhej të vlerësonin në çdo fazë nëse arsyet për privimin e lirisë vazhdonin të ishin të vlefshme.
Gjykata rikujtoi gjithashtu se rëndësia e veprës penale, e marrë më vete, nuk mund të shërbejë si arsye e pavarur për vazhdimin e paraburgimit dhe se autoritetet duhet të shqyrtojnë edhe mundësinë e masave alternative.
Në përfundim, Strasburgu vendosi që Shqipëria t’i paguajë Fredi Belerit 450 euro për dëmin jopasuror dhe 5 mijë euro për kostot dhe shpenzimet gjyqësore. Gjykata rrëzoi kërkesën e tij për dëmshpërblim për humbjen e të ardhurave që pretendonte se kishte pësuar për shkak se nuk mundi të ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë së Himarës.
Fredi Beleri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të vitit 2023, por nuk arriti të betohej dhe të merrte detyrën për shkak të arrestimit. Ai u dënua për korrupsion aktiv në zgjedhje, në kuadër të çështjes për shitblerje votash. Dënimi për të është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë dhe aktualisht çështja ndodhet në Gjykatën Kushtetuese.
