AKTUALITET, 10 November 2026, 14:21

"Gërdeci"/ Dëshmon në gjyq ish-bashkëpunëtori i Mediut, ish-ministri: U vërtetua se vendin e demontimit nuk e caktova unë

"Gërdeci"/ Dëshmon në gjyq ish-bashkëpunëtori

Në procesin gjyqësore për masakrën e  “Gërdeci”, ku ish ministri i Mbrojtjes është i pandehur për shpërdorim detyre, këtë të martë nisi marrja në pyetje e dëshmitarëve të kërkuar nga vetë Fatmir Mediu. I pari që dëshmoi ishte ish-zv shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Agim Lala, i cili ka qenë mes të pandehurve për procesin e parë që është bërë për shpërthimin në Gërdec.

Ashtu siç pritej Lala mbrojti Mediun, në lidhje me akuzat për përcaktimin e Gërdecit si vendi i demontimit, transportin e municioneve falas nga ushtria dhe përcaktimin e kalibrave të municioneve që demontoheshin.

“Ministri nuk mërret me kalibrat dhe as procedurat e demontimit. Kostot e transportit janë mbuluar sipas dispozitave ligjore të kohës që i kishte shteti. Kishte dy urdhra për barutin, njëri të asgjësohej në natyrë tjetri të futej në kontenier, urdhra që jepeshin nga Shefi i Shtabit (Luan Hoxha). Dorëheqjen e dhashë tek ministri por nuk mu pranua, arsyeja ishte për shkak të marrëdhënies me Shefin e Shtabit”, dëshmoi ai.

Pas përfundimit të seancës, vetë ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu tha se dëshmia e ish-bashkëpunëtorit të tij rrëzon akuzat e Prokurorisë së Posaçme.

“Gërdeci është zgjedhur në vitin 2003 nga Meico dhe strukturat e forcave të armatosura për demontimin e tankeve dhe armëve të artilerisë. Nuk e ka zgjedhur Fatmir Mediu por Gërdeci ka qenë njohuri e plotë mes strukturave ushtarake dhe strukturave kontraktuale.

E dyta, u deklarua qartë nga zv. shefi i shtabit sot që nuk ka asnjë akt juridik, rregullore, manual për administrimin e municioneve sipas madhësisë, kalibër i vogël apo i madh. Po ashtu qartë u tregua që përcaktimi kalibër i vogël mbi 100 mm është një histori që ka ndodhur para se unë të jem ministër.

E treta, për atë që akuzon prokuroria për pagesat e transportit, u tha fare qartë se transporti i municioneve bëhet nga ushtria siç ka thënë ministri. Për llogaritjen e kostove bëhet nga komanda sipas urdhrave të ministrit, që kanë qenë në fuqi, dhe mbi të gjitha transporti i municioneve nga ushtria te Meico qarkullimi bëhet pa para. Sepse nuk ka kuptim që strukturat të së njëjtës buxhet t’i bëjnë shërbimet me pagesë”, tha Mediu.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.