BOTA, 28 Mars 2023, 09:45

Ushtarët rusë i dërgojnë mesazh Putinit: Komandantët tanë janë një organizatë kriminale

Ushtarët rusë i dërgojnë mesazh Putinit: Komandantët

Anëtarët e një njësie të ushtrisë ruse të sapoformuar, thanë se komandantët e tyre dislokuan trupa për t’i parandaluar ata të tërhiqeshin, pasi pësuan humbje të mëdha në lindje të Ukrainës dhe i kërcënuan me vdekje.

Në një video-mesazh dërguar presidentit rus Vladimir Putin, një grup prej rreth njëzet burrash me uniforma ushtarake deklarojnë se janë ‘mbetjet’ e Stuhisë, një njësi që operon nën ombrellë e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, transmeton Telegrafi.

“Për 14 ditë ishim nën zjarr të hapur me mortaja dhe artileri. Kishim humbje të mëdha. 34 njerëz u plagosën dhe 22 u vranë, duke përfshirë komandantin tonë”, tha ushtari rus Alexander Gorin në një video që u shfaq në kanalet ruse Telegram të premten.

Një tjetër ushtar tha se njësia kishte 161 ushtarë në fillim. Gorin tregoi se si ushtarët vendosën të ktheheshin në selinë ruse, por eprorët e tyre nuk i lejuan ta bënin këtë.

“Na vendosën trupa pas shpine dhe nuk na lanë të largoheshim nga pozicioni. Ata kërcënojnë se do të na shkatërrojnë një nga një dhe si njësi. Duan të na ekzekutojnë sepse jemi dëshmitarë të një udhëheqjeje kriminale krejtësisht të pandërgjegjshme”, shtoi Gorin.

“Komandantët tanë janë një organizatë kriminale. Nuk mund ta quash ndryshe”, tha një tjetër ushtar rus, i cili e identifikoi veten si Sergei Moldanov.

The Guardian ka identifikuar tetë burra nga video. Kur kontaktoi me ta, të tre konfirmuan se ishin anëtarë të njësisë Stuhia dhe se video nuk ishte e falsifikuar.

Burrat, të cilët kërkuan të mbeten anonimë, thanë se ishin evakuuar nga fronti ndërkohë. Njësia Stuhia u krijua nga Ministria ruse e Mbrojtjes në janar, dhe tha se është një njësi “e krijuar posaçërisht për të depërtuar në sektorët më kompleksë dhe më të zhvilluar të mbrojtjes të forcave të armatosura të Ukrainës”.